Secondary Adv

Të ardhurat e bankave nga interesat bien për herë të parë që nga viti 2019

Të ardhurat neto nga interesat të sektorit bankar janë në rënie për herë të parë që prej vitit 2019.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto nga interesat (të ardhurat nga interesat minus shpenzimet për interesa) për 9-mujorin 2025 kishin vlerën e rreth 55.8 miliardë lekëve, në rënie me 0.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Rënia e të ardhurave neto nga interesat erdhi për shkak se shpenzimet për interesa u rritën në një masë më të madhe se të ardhurat e bankave nga interesat.

 

Shpenzimet për interesa u rritën me 10.5%, të nxitura nga rritja e vazhdueshme e depozitave, por edhe nga konkurrenca në rritje mes bankave për t’i tërhequr ato.

 

Nga ana tjetër, të ardhurat bruto nga interesat shënuan një rritje modeste me vetëm 1.6%.

 

Këto të dhëna tregojnë se efekti pozitiv i ciklit rritës së normave të interesit në bilancet e bankave duket se ka përfunduar.

 

Pas goditjes inflacioniste të vitit 2022, bankat qendrore rritën në mënyrë të shpejtë normat bazë dhe kjo u reflektua pozitivisht në të ardhurat nga interesat e aseteve të sektorit bankar.

 

Por, në vitin 2024, normat e interesit të bankave qendrore iu kthyen rënies, duke u përcjellë edhe në ecurinë e treguesve benchmark që përdoren nga bankat për kuotimin e çmimit të kredive, kryesisht Bonove të Thesarit dhe Euriborit. Një tendencë e tillë ka vijuar edhe gjatë këtij viti.

 

Kjo e ka frenuar rritjen e të ardhurave nga interesat, ndërkohë që në krahun tjetër shpenzimet për interesa kanë qenë të qëndrueshme, të nxitura edhe nga një konkurrencë në rritje për fondet e publikut, veçanërisht prej bankave më aktive në tregun e kredidhënies.

 

Mekanizmi i transmetimit të politikës monetare në përgjithësi ka një përcjellje më të shpejtë në kahun e aktiveve të sektorit bankar, se sa në atë të detyrimeve.

 

Tregu primar i instrumenteve të borxhit të qeverisë ndikohet i pari nga lëvizjet e normës bazë të interesit. Duke qenë se titujt qeveritarë janë benchmark edhe në kreditimin e sektorit privat, rritja e interesave përcillet edhe në kreditë në monedhën vendase. Ndërkohë, përcjellja në interesat e depozitave zakonisht është më graduale.

 

Ndërkohë që të ardhurat nga interesat kanë frenuar, shpenzimet e aktivitetit bankar kanë vijuar të rriten gjatë 9-mujorit të këtij viti. Në total shpenzimet jo për interesa arritën vlerën e 42.2 miliardë lekëve, në rritje me 14.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Frenimi i rezultatit neto nga interesat dhe rritja e shpenzimeve operative është reflektuar qartë edhe në rezultatin përfundimtar të sektorit bankar për periudhën.

 

Fitimi neto i sektorit, sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë, pësoi rënie në rreth 26.2 miliardë lekë, 5.9% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Monitor(https://monitor.al/te-ardhurat-e-bankave-nga-interesat-bien-per-here-te-pare-qe-nga-viti-2019/)


Më të lexuarat