Pagesat me kartë u rritën me ritme të larta edhe në tremujorin e tretë
Pagesat me kartë janë rritur me ritme të larta edhe në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë u kryen 6.8 milionë pagesa me kartë, 36% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Ndërsa vlera totale e pagesave më kartë për këtë tremujor arriti në 33.1 miliardë lekë, 54.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për të gjithë 9-mujorin 2025, numri total i pagesave me kartë arriti në pothuajse 19.4 milionë, në rritje me 39.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërsa, vlera totale e pagesave me kartë arriti në 45.1 miliardë lekë, në rritje me 65.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pagesat me kartë janë në nivelet më të larta historike. Madje, për herë të parë këtë vit, numri i pagesave me kartë në pikat elektronike të shitjes (POS) ka kaluar numrin e tërheqjeve të parasë cash nga bankomatet.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin 2025 pagesat me kartë përbënin 51% të numrit të përgjithshëm të veprimeve, ndërsa tërheqjet cash nga ATM-të më pak se 43% të tyre.
Megjithatë, tërheqjet cash vazhdojnë të dominojnë në vlerë, me 65% të totalit, ndërsa pagesat me kartë në terminale POS për 9-mujorin përbëjnë 17% të vlerës totale të tyre.
Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me shtimin e vazhdueshëm të numrit të bizneseve që pranojnë pagesa të tilla. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të tremujorit të tretë të këtij viti 29 261 arriti, në rritje me 24.5% krahasuar me një vit më parë.
Paralelisht, në rritje është edhe numri i kartave të pagesave. Në fund të muajit shtator, numri i kartave aktive arriti në 1.61 milionë, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti dominues ngelen kartat e debitit, që përbëjnë afërsisht 88% të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesave.
Vlerësohet se turizmi është një nga faktorët kryesorë që po i jep shtysë të fortë pagesave me kartë në vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT treguan se hyrjet e shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për 9-mujorin arritën në 10.2 milionë, në rritje vjetore me 5.7%.
Megjithatë, vlerësohet se zgjerimi i infrastrukturës së POS-eve dhe zhvillimi i shprehive konsumatroe pas pandemisë e ka rritur ndjeshëm përdorimin e pagesave me kartë edhe nga konsumatorët vendas.
Me qëllim uljen e përdorimit të cash dhe luftës ndaj informalitetit dhe evazionit fiskal, qeveria shqiptare në paketën e fundit fiskale ka propozuar ndryshime ligjore që detyrojnë një pjesë të mirë të bizneseve të pajisen me terminale të pikave të shitjes ose ndërveprimit (POS/POI), për të mundësuar pranimin e pagesave elektronike. Pajisja me terminalet POS për hotelet dhe strukturat akomoduese, sektorin e transportit dhe për institucionet publike e shoqëri publike propozohet brenda datës 30 maj 2026, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë brenda datës 31 dhjetor 2026.
Megjithatë, vlerësohet se pjesa më e madhe e bizneseve të vogla do të përjashtohen nga ky detyrim. /Monitor(https://monitor.al/pagesat-me-karte-u-rriten-me-ritme-te-larta-edhe-ne-tremujorin-e-trete/)
Më të lexuarat






