Secondary Adv

Masat e BSH nuk e ndalojnë dot kredinë për shtëpi, u rrit me 35 për qind për tetorin

Kredia për shtëpi ka vazhduar rritjen edhe për tetorin, duke konfirmuar një ndjeshmëri të ulët ndaj masave kufizuese të aplikuara nga Banka e Shqipërisë.

Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në muajin tetor, sektori bankar dha gjithsej rreth 4.7 miliardë lekë kredi të re për blerjen e banesave, me një rritje prej 35% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.

 

Në periudhën korrik-tetor, që përkon me hyrjen në fuqi të masave kufizuese të Bankës së Shqipërisë, kredia e re për shtëpi ka arritur në 18.5 miliardë lekë, në rritje me gati 23% krahasuar me të njëtën periudhë të vitit 2024.

 

Të dhënat progresive të 10-mujorit tregojnë se vlera e kredisë për blerje banesash ka arritur një rekord të ri historik për këtë vit. Sektori bankar disbursoi gjithsej 54.7 miliardë kredi, 26.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Portofoli aktiv total i kredisë për shtëpi në fund të tetorit arriti vlerën e 238.1 miliardë lekëve. Krahasuar me një vit më parë, ky portofol është zgjeruar me 18.4%.

 

Kredia për individët, duke përfshirë edhe segmentin më të madh të saj, kredinë për shtëpi, po jep kontributin kryesor në rritjen e kredisë për ekonominë gjatë këtij viti.

 

Që prej 1 korrikut të këtij viti, bankat janë të detyruara të respektojnë disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve).

 

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

 

Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë do të jetë në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan do të jetë 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të huamarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve eventuale të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme ose në kuadrin makroekonomik të vendit.

 

Këto masa erdhën në vijim të aplikimit të shtesave kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit vitin e kaluar, me gjithsej 0.5%. Kjo rritje ka si qëllim pikëirsht ngadalësimin e huadhënies nga sektori bankar. Këto masa u këshilluan nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por megjithatë të paktën në fazën e parë nuk kanë dhënë efekte domethënëse.

 

Në deklaratën e fundit për Shqipërinë, misioni i FMN shprehet se aktivizimi së fundmi i masave ndaj kredimarrësit për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme rezidenciale mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të bëhet një mjet i përhershëm. Madje, FMN rekomandon vendosjen e një shtese sektoriale të kapitalit për rrezikun sistemik, pesha më të larta rreziku ose masa të tjera që shënjestrojnë kredimarrësit, si mjete shtesë për të adresuar rreziqet në rritje nga huadhënia për pasuri të paluajtshme për qëllime tregtare.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat