Secondary Adv

KLSH: Shqipëria, vendi me plazhet më të ndotura në Evropë

Cilësia e ujërave të larjes në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, duke e renditur vendin tonë të fundit në Evropë për vitin 2023.

Këtë e konfirmon raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), i cili analizon monitorimin e 123 pikave të ujërave të larjes në rang kombëtar.

 

Sipas raportit, për periudhën 2019–2023 është vërejtur një trend i qartë dhe i pandalshëm përkeqësimi. Viti 2023 përfaqëson pikën më të ulët të cilësisë, duke regjistruar numrin më të lartë të stacioneve të ndotura, plot 34 pika monitorimi, të gjitha të kategorizuara si D – cilësi e keqe. Në terma relativë, kjo do të thotë se 30% e ujërave të larjes në Shqipëri rezultojnë të ndotura.

 

Krahasuar me 119 pikat e monitorimit që ishin deri në vitin 2021, zgjerimi i rrjetit në 123 pika në vitet 2022–2023 nuk ka sjellë përmirësim të situatës, përkundrazi ka nxjerrë në pah problematika më të thella të ndotjes bregdetare.

 

Alarmin e rritjes së zonave të ndotura e shoqëron edhe rënia e ndjeshme e plazheve me kategori A – cilësi të shkëlqyer. Nga 106 plazhe të tilla në vitin 2019, në vitin 2023 mbeten vetëm 34, duke shënuar një rënie të pakthyeshme që kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse.

 

Ku ndodhen plazhet më të ndotura të vendit?

 

Raporti i KLSH identifikon se bashkitë Durrës, Kavajë, Vlorë dhe Pogradec përmbajnë numrin më të madh të plazheve me cilësi të keqe.

 

Në total, 34 plazhet me kategori D shtrihen në territorin e bashkive: Lezhë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Vlorë, Sarandë dhe Pogradec.

 

Disa prej tyre kanë qenë problematike për të paktën pesë vite radhazi, duke treguar mungesë të theksuar ndërhyrjeje. Një shembull i njohur është plazhi “Plepa” në Durrës.

 

Dhjetë plazhet më të ndotura në Shqipëri (monitorimi 2023)

Durrës – “Plepa” (pas kanalit)

Kavajë – “Vjena”

Kavajë – “Majami”

Kavajë – “Vapori i mbytur”

Kavajë – “Bar kafe Holiday”

Kavajë – “Kompleksi Bellavista”

Vlorë – “Shkolla e Marinës”

Pogradec – “Hotel Enkelana”, Ish-Turizmi i vjetër

Pogradec – “Hotel 1 Maj”

Pogradec – “Hotel Depo” (Kompleksi Ermano)

 

Megjithëse të gjitha i përkasin kategorisë D, disa prej tyre rezultojnë disa herë më të ndotura se të tjerat, sidomos për prani të lartë të Enterokokut Intestinal dhe Escherichia Coli.

 

Shqipëria, vendi me plazhet më të ndotura në Evropë

 

KLSH ka krahasuar situatën e Shqipërisë me vendet e Bashkimit Evropian, duke përdorur të dhënat e vitit 2023. Rezultati është tronditës: rreth 28% e plazheve shqiptare janë me cilësi të keqe, përqindje më e larta në të gjithë kontinentin.

 

Greqia, Kroacia dhe Bullgaria nuk kanë asnjë plazh me cilësi të keqe, ndërsa Qipro rezulton shteti me ujërat e larjes më cilësore në Evropë. Për referencë, Greqia ka 1,731 plazhe të monitoruara, Kroacia 936, ndërsa Shqipëria vetëm 123, por me normën më të lartë të ndotjes.

 

Mos­përputhje serioze midis të dhënave vendase dhe atyre evropiane

 

Raporti ngre shqetësime edhe për mospërputhjet e dukshme midis të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) dhe atyre të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA).

 

Sipas AKM për vitin 2023 nga 123 pika monitorimi rezultuan 34 me kategori A; 40 me kategori B; 15 me kategori C; 34 me kategori D. Sipas EEA për të njëjtin vit, nga 119 pika monitorimi rezultuan 49 me kategori A, 44 me kategori B, 8 me kategori C 18 me kategori D.

 

Diferencat janë të mëdha dhe ngrenë dyshime për korrektësinë e raportimit zyrtar, duke kërkuar transparencë më të madhe në monitorimin mjedisor.

 

Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat