Secondary Adv

Tatimet caktojnë dysheme pagash në ndërtim: Jo rroga më pak se 80 mijë lekë

Drejtoria e Tatimeve ka vendosur paga minimale indikative nga 80 mijë deri në 160 mijë lekë për punonjësit e ndërtimit, për të frenuar nëndeklarimin që ka ulur artificialisht pagën mesatare të sektorit.

Pagat nën kufi do të konsiderohen të dyshimta

Administrata Tatimore paralajmëron se çdo kompani ndërtimi që deklaron paga më të ulëta se 80 mijë lekë për punonjësit bazë apo më pak se 160 mijë lekë për vinçierët, do të përfshihet automatikisht në listën e subjekteve me risk dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve. Autoritetet theksojnë se do të monitorohen edhe rastet kur bizneset tentojnë të ndryshojnë profesionet e punonjësve për të deklaruar rroga më të ulëta.

 

Lista e pagave minimale sipas profesioneve

Në dokumentin orientues të përgatitur nga Tatimet, pagat indikative nisin nga 80 mijë lekë për punëtorët e llacit, riparuesit dhe punonjësit e duraluminit. Shtresa e mesme e profesioneve, si suvatues, pllakëzues, bojaxhinj dhe saldatorë, luhatet nga 85 deri në 95 mijë lekë, ndërsa për profesionet e specializuara si administratorët, inxhinierët teknikë dhe drejtuesit e vinçave, dyshemeja shkon në 140–160 mijë lekë.

 

Pse u vendos kjo masë

Paga mesatare e deklaruar në ndërtim është vetëm 68.400 lekë, shumë më e ulët se ajo reale që paguhet shpesh në mënyrë informale. Tatimet e lidhin këtë ndërhyrje me planin sektorial për rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe me synimin për rritjen e pensioneve në vijim. Kjo skemë kontrolli është e ngjashme me modelin e zbatuar më herët në sektorin e turizmit.

Burimi: Shqiptaraja.com


Më të lexuarat