Secondary Adv

Siguria rrugore, Komuniteti i Transportit: Shqipëria dhe rajoni përmirësim, por larg BE

Raporti i Komunitetit të Transportit për vitin 2024 tregon rënie të viktimave në aksidentet rrugore në Ballkanin Perëndimor, por ritmi i përmirësimit është ende larg objektivave të BE-së.

Rënie e lehtë e viktimave, Shqipëria me uljen më të madhe

Ballkani Perëndimor regjistroi 1,225 humbje jete në aksidente rrugore gjatë vitit 2024, një ulje prej 2.9% krahasuar me vitin paraardhës. Shqipëria shënon përmirësimin më të dukshëm, me 175 viktima nga 192 vitin e kaluar, një rënie prej 8.9%. Ulje raportojnë edhe Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi, ndërsa situata është përkeqësuar në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, të cilat regjistruan rritje të numrit të viktimave.

 

Rajoni ende larg standardeve të BE-së

Pavarësisht trendit pozitiv, raporti thekson se niveli i vdekshmërisë në rrugë mbetet shumë mbi mesataren e BE-së prej 45 viktimash për 1 milion banorë. Problematikat kryesore janë mjetet e vjetruara, mungesa e mbikëqyrjes efektive, shpejtësia mbi normat e lejuara dhe përdorimi i ulët i rripit të sigurimit, sidomos në sediljet e pasme.

 

Objektivat për 2030 rrezikojnë të mos arrihen

Sipas Komunitetit të Transportit, vendet e rajonit nuk po ecin me ritmin e duhur për të përmbushur objektivat: reduktim me 25% deri në vitin 2027 dhe 50% deri në vitin 2030. Aktualisht, zbatimi i planit rajonal të sigurisë rrugore vlerësohet vetëm në 55%, çka tregon se nevojiten masa më të shpejta dhe më të koordinuara.

 

Rekomandimet: më shumë investime dhe harmonizim me BE-në

Raporti kërkon forcimin e institucioneve përgjegjëse, harmonizimin e legjislacionit me direktivat evropiane, rritjen e investimeve në infrastrukturë më të sigurt dhe ndryshimin e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Vetëm përmes qasjes së integruar “Safe System”, theksohet se rajoni mund të arrijë objektivat dhe të shpëtojë më shumë jetë.

Burimi:Scantv


Më të lexuarat