Ekonomia rritet, por bizneset dhe ndërtuesit mbeten pesimistë, bie besimi në nëntor
Rritja ekonomike prej rreth 3.5–4% nuk po shoqërohet me rritje të besimit tek bizneset, ndërsa konsumatorët shfaqen më optimistë.
Treguesi i ndjesisë ekonomike bie për shkak të bizneseve
Megjithëse ekonomia po rritet me ritme ndër më të lartat në Europë, bizneset nuk po reflektojnë optimizëm. Banka e Shqipërisë njoftoi se treguesi i ndjesisë ekonomike ra në 106.2 pikë në nëntor, me një ulje prej 2.6 pikësh, ndikuar kryesisht nga rënia e besimit të sektorëve kyç. Ndërtimi dhe shërbimet, që kanë udhëhequr rritjen vitet e fundit, shënuan edhe rënien më të fortë të besimit, ndërsa tregtia gjithashtu paraqiti sinjale dobësimi.
Industria stabile, por me sinjale të përziera
Në industri, treguesi i besimit mbeti i pandryshuar, duke qëndruar mbi mesataren historike. Rënia e kontratave porositëse nga eksportet dha ndikim negativ, ndërsa prodhimi aktual u vlerësua pak më mirë. Pritjet për çmimet në të ardhmen vijojnë në kahun rritës.
Ndërtimi dhe shërbimet shënojnë rënie të dukshme
Ndërtimi, një nga sektorët që ka shtyrë rritjen ekonomike vitet e fundit, regjistroi rënie të ndjeshme të besimit me 3.1 pikë. Si aktiviteti aktual, ashtu edhe porositë e reja rezultuan më të dobëta, ndërsa pritjet për çmimet vazhduan të ulen. Shërbimet ranë edhe më fort, me 5.7 pikë, të ndikuara nga kërkesa më e ulët dhe ecuria më pak pozitive e bizneseve, megjithëse treguesi mbetet ende mbi mesataren afatgjatë.
Tregtia dobësohet për shkak të punësimit
Besimi në tregti ra me 2.3 pikë përqindje, duke reflektuar pritje më të ulëta për punësimin. Vlerësimi për shitjet aktuale nuk ndryshoi, ndërsa pritjet për çmimet u rritën.
Konsumatorët më optimistë për financat dhe të ardhmen
Në kontrast me bizneset, konsumatorët u treguan më optimistë. Treguesi i besimit konsumator u rrit me 0.8 pikë dhe qëndron mbi mesataren historike, i mbështetur nga pritshmëritë më pozitive për gjendjen financiare dhe situatën ekonomike në muajt e ardhshëm. Ndërkohë, vlerësimet për blerjet e mëdha nuk kanë ndryshuar.