Secondary Adv

Bie biznesi, për herë të parë në 30 vjet, shteti po mban në këmbë ekonominë

Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike është mbajtur kryesisht nga taksat dhe shpenzimet publike, ndërsa kontributi i sipërmarrjes ka rënë në minimum historik.

Shteti, kontribuesi kryesor i rritjes

Edhe pse ekonomia shqiptare shënoi rritje rreth 4% në vitin 2024, analiza e kontribuuesve tregon një realitet të dobët për sektorin privat. Për herë të parë në 30 vjet, më shumë se gjysma e rritjes ka ardhur nga shteti, përmes rritjes së të ardhurave fiskale dhe pagave në administratë. Taksat neto kanë dhënë ndikimin më të lartë me 1.97 pikë përqindje, ndërsa administrimi publik dhe sigurimet shënuan 0.91 pikë përqindje.

 

Sipërmarrja private me kontribut minimal

Sipërmarrja private solli vetëm 1.97 pikë përqindje të rritjes, duke zbritur në 49% të totalit, niveli më i ulët që prej vitit 1996. Në vitin 2023, bizneset kontribuuan 96% të rritjes, çka tregon një përshtjellim të ndjeshëm të ekonomisë reale. Rritja është mbajtur artificialisht nga çmimet më të larta, rritja e TVSH-së dhe shpenzimet publike, jo nga prodhimi apo eksportet.

 

Ndërtimi, turizmi dhe energjia humbasin peshë

Sektorët që mbështetën rritjen në vitet e mëparshme u tkurrën dukshëm. Ndërtimi, që në 2023 dha gati një të tretën e rritjes, kontribuoi vetëm 13% në 2024, ndërsa çmimet e larta të banesave po rëndojnë fuqinë blerëse. Akomodimi dhe shërbimi ushqimor, i nxitur nga turizmi, dha vetëm 8% të rritjes, shumë më pak se një vit më parë. Edhe energjia elektrike pati ndikim minimal, për shkak të varësisë nga kushtet atmosferike.

 

Sektorët modernë dhe tregtia në rënie

Aktivitetet profesionale dhe teknike, që matin kapacitetin inovativ të ekonomisë, kontribuuan më pak se 1% të rritjes, pas një tkurrjeje të ndjeshme gjatë vitit dhe pas pasigurisë që sollën politikat tatimore. Edhe tregtia me shumicë dhe pakicë pati peshë të ulët, me konsum të prekur nga emigracioni dhe çmimet e larta, të cilat kanë rritur taksat por kanë ulur fuqinë blerëse.

 

Bazat prodhuese në vështirësi

Sektorët kryesorë të ekonomisë reale—bujqësia, industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese—kanë dhënë kontribute negative për të tretin vit radhazi, duke reflektuar mungesën e investimeve, kostot e larta të energjisë dhe mungesën e fuqisë punëtore. Rritja e vitit 2024 mbeti e paqëndrueshme dhe e mbështetur më shumë në buxhet sesa në aktivitetin real ekonomik.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat