Ndryshimet klimatike mund t’i kushtojnë Shqipërisë deri në 7 për qind të PBB
Bujqësia dhe turizmi priten të goditen më fort, ndërsa vendi duhet të investojë 9.8 miliardë dollarë deri në 2036 për t’u mbrojtur nga pasojat e motit ekstrem.
Rreziqet klimatike dhe kostot për ekonominë
Shqipëria rrezikon të humbasë deri në 7% të Prodhimit Kombëtar nëse nuk ndërmerren masa për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike, sipas Planit Kombëtar 2026–2036 të Ministrisë së Mjedisit. Dokumenti paralajmëron se temperaturat ekstreme, thatësirat më të gjata dhe reshjet intensive rrisin rrezikun e zjarreve, përmbytjeve dhe dëmeve në infrastrukturë. Vendi ka humbur 2.3 miliardë dollarë nga fatkeqësitë natyrore në 30 vitet e fundit, me tërmetin e 2019-s që shkaktoi ndikim negativ prej 7.5% në ekonomi.
Investime të domosdoshme deri në 2036
Për të shmangur dëme masive ekonomike, parashikohen investime prej 9.8 miliardë dollarësh në sisteme kullimi, argjinatura, rezervuarë, teknologji mbrojtëse dhe mekanizma informacioni. Plani kërkon gjithashtu ripyllëzim në shkallë të gjerë, masa për emergjencat, gjelbërim urban, mbrojtje të infrastrukturës energjetike dhe modernizim të operimit të hidrocentraleve.
Bujqësia dhe turizmi, sektorët më të rrezikuar
Bujqësia, një nga shtyllat e ekonomisë, pritet të përballet me rënie të prodhimit, tkurrje të tokave bujqësore dhe mungesë ujitje. Turizmi bregdetar është i ekspozuar ndaj erozionit dhe përmbytjeve, ndërsa ndryshimet në temperaturë dhe reshje mund të dëmtojnë edhe turizmin malor. Dokumenti rekomandon diversifikim të ofertës turistike drejt kulturës dhe trashëgimisë.