Shqipëria ul fondet për arsimin deri në vitin 2028, jo më shumë se 2.1 për qind të PBB
Shpenzimet publike për arsim pritet të zbresin në vetëm 2.1% të PBB-së deri në vitin 2028, duke thelluar edhe më shumë hendekun me vendet e rajonit dhe BE-së.
Fonde më të ulëta, ekonomi më e madhe
Buxheti afatmesëm 2026-2028 parashikon ulje të vazhdueshme të fondeve për arsim si në raport me PBB-në, ashtu edhe me peshën në buxhetin total. Sipas INSTAT, shpenzimet publike për arsim ishin 2.9% e PBB-së në vitin 2022, ndërsa këtë vit pritet të ulen në 2.4%. Në vitin 2028 ato do të arrijnë nivelin më të ulët, vetëm 2.1% të PBB-së, çka tregon se rritja ekonomike nuk po shoqërohet me prioritizim të arsimit.
Rënie edhe ndaj buxhetit total
Pesha e arsimit ndaj shpenzimeve buxhetore bie nga 7.5% në vitin aktual në jo më shumë se 7% në vitin 2028. Ndërkohë, vendet e Ballkanit Perëndimor shpenzojnë mesatarisht 3.9% të PBB-së për arsim, duke e lënë Shqipërinë dukshëm nën mesatare.
Infrastrukturë e amortizuar dhe financim i pabalancuar
Shkollat përballen me mungesë infrastrukture fizike e teknologjike, ndërtesa të amortizuara dhe kushte që vështirësojnë mësimdhënien cilësore. Ndërkohë, brenda vetë sistemit, ndarja e fondeve mbetet problematike. Arsimi fillor merr rreth 1.8% të PBB-së, ndërsa ai i mesëm vetëm 0.4%, shumë më pak se mesatarja 2% në vendet e BE-së.
Rreziku për cilësinë e arsimit
Ekspertët paralajmërojnë se ulja e fondeve mund të pengojë përmirësimin e cilësisë së arsimit, modernizimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, duke e lënë vendin pas në krahasim me rajonin dhe BE-në. Në një kohë kur të gjitha ekonomitë e rajonit po investojnë më shumë në arsim, politika buxhetore shqiptare po thellon hendekun.