Besimi i ndërtuesve në nivelin më të ulët në tre vjet nga rënia e porosive, po çmimet
Indeksi i besimit në ndërtim ra në -8.9 në nëntor, niveli më i ulët që nga 2022, si pasojë e rënies së porosive dhe aktivitetit ndërtues, ndonëse pritshmëritë për çmime mbeten mbi zero.
Besim minimal, por mbi mesataren historike
Treguesi i besimit në ndërtim ra me 3.1 pikë përqindje në nëntor, duke arritur -8.9, nivel që nuk shihej prej tre vitesh. Banka e Shqipërisë vlerëson se rënia u ndikua si nga aktiviteti ndërtues, ashtu edhe nga kontratat porositëse. Megjithatë, treguesi mbetet 14.4 pikë mbi mesataren historike të sektorit.
Rënie e fortë e porosive
Balanca e përgjigjeve për porositë aktuale zbriti në -30, sinjal se shumica e ndërtuesve presin porosi më të pakta. Ky është niveli më i ulët që prej tetorit 2022 dhe reflekton dobësimin e kërkesës, pavarësisht ritmit të lartë të ndërtimeve.
Pritshmëritë për çmimet bien, por mbeten pozitive
Ndërtuesit presin rritje më të moderuar të çmimeve. Balanca për çmimet ra në 8.6, nga mbi 10 muajt e mëparshëm, çka tregon shtim të atyre që mendojnë se çmimet mund të bien. Megjithatë, ata që presin rritje të mëtejshme të çmimeve mbeten më shumë se ata që presin ulje.
Kontribut më i dobët në ekonomi
Sipas INSTAT, kontributi i ndërtimit në rritjen ekonomike ka rënë ndjeshëm. Në vitin 2023 sektori dha gati një të tretën e rritjes, ndërsa në 2024 kjo peshë ka zbritur në rreth 13%. Pavarësisht kësaj, çmimet e banesave vijojnë të jenë të larta, me mesataren në Tiranë rreth 2 mijë euro për m², duke e bërë kryeqytetin një nga më të papërballueshmit në Evropë.
Lejet e shumta mbajnë ritmin e ndërtimit
Edhe pse besimi bie, lejet për ndërtesa të larta vijojnë të miratohen. Vetëm në mbledhjet e fundit të KKT-së janë dhënë të paktën 16 leje për kulla mbi 20 kate në Tiranë, ndërsa projektet turistike në bregdet vazhdojnë të marrin miratime.