Secondary Adv

Buxheti 2026, Fieri me rritjen më të madhe të fondeve, Përmeti më të ultën

Transferta e pakushtëzuar për bashkitë rritet me 9% në vitin 2026, por ndarja e fondeve tregon diferenca të mëdha mes territorëve, me Fierin në krye dhe Përmetin në fund të listës.

Rritje e përgjithshme, por shpërndarje e pabarabartë

Buxheti i vitit 2026 parashikon 46 miliardë lekë transferta të pakushtëzuara për bashkitë, 4 miliardë lekë më shumë se në 2025. Megjithëse fondi total rritet me 9%, rritja nuk shpërndahet në mënyrë uniforme. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se Fieri shënon rritjen më të lartë, plot 15%, duke u financuar me rreth 1.8 miliardë lekë vitin e ardhshëm. Pas tij vijnë bashki të vogla si Këlcyra (+14.2%) dhe Roskoveci, Mallakastra e Dropulli, me rritje nga 12% deri në 13.6%.

 

Bashkitë që përfitojnë më shumë dhe ato me rritje mesatare

Rritje të ndjeshme prej rreth 11–12% marrin Kamza, Berati, Finiqi, Lushnja, Kukësi dhe Mati, që pasqyrojnë rritjen e funksioneve dhe domosdoshmërinë për mbështetje financiare shtesë. Bashkitë e mëdha si Elbasani dhe Korça regjistrojnë rritje 10.4%, ndërsa Vlora qëndron pranë 11%. Bashkitë bregdetare, të ndikuara edhe nga dinamika turistike, kanë rritje më të moderuar: Saranda dhe Himara luhaten mes 6.9% dhe 9.9%.

 

Tirana rritet me 9%, por mban nivelin më të lartë të fondeve

Tirana, megjithëse ka një rritje të njëjtë me mesataren kombëtare, përfiton vlerat më të mëdha absolute. Transferta e saj arrin 6.5 miliardë lekë, nga 6 miliardë këtë vit. Bashkitë e mesme si Shkodra, Gjirokastra, Dibra, Kurbin, Cërriku dhe Kruja regjistrojnë rritje në intervalin 8–9%.

 

Përmeti me rritjen më të ulët në rang kombëtar

Pusteci dhe Himara janë ndër bashkitë me rritjen më të ulët të transfertës, ndërsa Përmeti mban vendin e fundit me vetëm 4.7% rritje. Kjo tregon një shpërndarje të diferencuar që jo gjithmonë pasqyron qartësisht nevojat reale të territorit.

 

Ndarja e fondeve, e ndikuar nga formula financuese dhe projektet në vijim

Ndonëse rritja është e përgjithshme, financimet variojnë sipas formulës së llogaritjes, numrit të banorëve, sipërfaqes dhe projekteve të nisura nga bashkitë. Shpesh ndodh që bashki më të vogla të marrin rritje më të larta për frymë, ndërsa bashkitë me popullsi të madhe nuk përfitojnë domosdoshmërisht më shumë fonde. Grantet e pakushtëzuara mbështesin shërbimet bazë, por mbeten më të ulëta se nevojat reale, ndërsa grantet konkurruese shkojnë kryesisht tek bashki me kapacitete më të forta për hartimin e projekteve.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat