Secondary Adv

Lehtësohen ndërtuesit, çmimet e materialeve po rriten më pak se inflacioni

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim u rrit vetëm 1.4% në tremujorin e tretë, më pak se inflacioni mbi 2.4%, duke ulur presionin e kostove për ndërtuesit.

Rritje e moderuar e kostove dhe ulje e materialeve

Çmimet e materialeve të ndërtimit po rriten më ngadalë se inflacioni, duke përmirësuar kushtet e sektorit dhe duke zgjeruar hapësirën për marzhe më të larta fitimi. Sipas INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim u rrit me 1.4% në tremujorin e tretë 2025, ndërsa inflacioni i përgjithshëm tejkaloi 2.4%. Rritja më e ndjeshme e çmimeve lidhet me pagat, që u rritën me 6.6%, ndërsa makineritë dhe kostot e tjera u rritën me 2.4% dhe transporti me 1.7%.

 

Materialet në rënie, ndikim direkt në uljen e kostove

Grupi i shpenzimeve për materiale regjistroi ulje me 0.6%. Brenda tij, materialet e ndërtimit dhe ato elektrike shënuan rënie me 0.6%, ndërsa materialet hidro-sanitare ranë me 0.2%. Kjo tendencë ka ndihmuar në balancimin e rritjes së kostove të tjera, sidomos të pagave, që mbeten elementi më presionues për ndërtuesit.

 

Rritje e lehtë krahasuar me tremujorin e dytë

Krahasuar me tremujorin e dytë 2025, indeksi u rrit me 0.4%. Pagat u rritën me 1.1%, transporti me 0.8%, makineritë me 0.5% dhe kostot e tjera me 0.1%. Në të njëjtën kohë, materialet ranë me 0.1%, me ulje më të madhe te materialet bazë të ndërtimit, ndërsa materialet elektrike u rritën me 0.6%.

 

Pse është i rëndësishëm Indeksi i Kushtimit në Ndërtim

IKN është tregues kyç për sektorin, pasi mat ecurinë e çmimeve të materialeve, fuqisë punëtore dhe shpenzimeve kapitale për ndërtimin e një banese tip. Ai shërben si deflator në llogaritjen e PBB-së dhe përdoret gjerësisht nga institucionet ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare si Banka e Shqipërisë, FMN dhe Banka Botërore. Shporta e indeksit mbështetet në preventiva reale të sektorit dhe përbëhet nga 71 zëra, prej të cilëve 66 janë materiale ndërtimi.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat