Përmirësimi estetik i bregdetit të Durrësit dhe tregu i Milotit, FSHZH tender 8.8 mln euro
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur dy procedura prokurimi me vlerë totale 874 milionë lekë, që synojnë transformimin e bregdetit të Durrësit dhe rikualifikimin e tregut historik të Milotit.
Dy tenderë, investime mbi 8.8 milionë euro
FSHZH ka shpallur këtë të enjte dy tenderë të rëndësishëm, me vlerë 874 milionë lekë. Projekti më i madh, me fond limit 540 milionë lekë, lidhet me përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit të Durrësit, ndërsa i dyti, me fond 330 milionë lekë, financohet për rikualifikimin e tregut të Milotit. Të dy ndërhyrjet janë pjesë e programit “Zona model zhvillimi”, që synon transformime urbane dhe rritje të ofertës turistike dhe ekonomike.
Transformimi i bregdetit të Durrësit
Ndërhyrja në Durrës përfshin rivelimin e një sipërfaqeje prej rreth 544 mijë metrash katrorë nga Porti deri te Kavalishenca. Projekti ka në fokus shndërrimin e bregdetit në një destinacion modern turistik, me plazh të zgjeruar, park linear, hapësira publike multifunksionale dhe infrastrukturë rekreative përgjatë 2.8 kilometrave vijë bregdetare. Parashikohet zgjerim deri në 100 metra drejt detit, duke krijuar hapësira të reja për banorët dhe vizitorët.
Rikualifikimi i tregut 200-vjeçar të Milotit
Tregu historik i Milotit, i njohur për funksionimin e tij çdo të dielë dhe rëndësinë për gjithë veriun, do të modernizohet përmes fazës së dytë të programit të tregjeve. Aktualisht në gjendje të amortizuar, tregu do të transformohet në disa zona funksionale: hapësira parkimi e magazinimi, kompleks shërbimesh, treg për gjënë e gjallë me thertore, zona industriale dhe funksionet pranë stacionit të trenit. Ndërhyrja përfshin edhe rrugën kryesore që organizon qarkullimin dhe strukturën e tregut.