Secondary Adv

Kostot e ndërtimit ulen, por çmimet e apartamenteve vijojnë rritjen

Rënia e çmimeve të materialeve nuk po frenon shtrenjtimin e banesave, ndërsa pagat në sektor rriten kryesisht në mënyrë informale.

Kostot bien, çmimet rriten

INSTAT raportoi se në tremujorin e tretë, kostoja e ndërtimit u rrit vetëm me 1.4%, më e ulët se një vit më parë. Çmimet e materialeve kanë rënë, duke lehtësuar barrën e ndërtuesve, por kjo nuk është reflektuar te çmimet e apartamenteve, që vijojnë të ngjiten dhe nuk pritet të ndalen. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon se 42% e ndërtuesve presin rritje të çmimeve, 54% stabilitet, ndërsa vetëm 4% parashikojnë ulje.

 

Shtrenjtimi ngadalëson shitjet

Rritja e çmimeve ka zgjatur edhe kohën mesatare të shitjes së një apartamenti, nga 9.3 muaj në 11.6 muaj. Ndërtuesit pretendojnë se kosto kryesore janë pagat, të cilat sipas tyre janë rritur me 6.6% krahasuar me një vit më parë. Sektori punëson rreth 63 mijë persona, një rritje prej 20 mijë në një dekadë, por pagat në ndërtim mbeten ndër më të ulëtat në ekonomi.

 

Pagat rriten, por shpesh në mënyrë informale

Pavarësisht pretendimeve për rritje pagash, INSTAT raporton një mesatare prej vetëm 68.400 lekësh, për shkak të nëndeklarimit. Në realitet, pagat janë më të larta, por një pjesë e tyre jepet në cash. Për këtë arsye, Tatimet kanë vendosur paga dysheme në sektor: 60 mijë lekë për sanitarët dhe 80 mijë lekë për të gjitha profesionet e tjera.

 

Nëndeklarimi në fokus të kontrollit

Vendimi i Tatimeve rrit automatikisht pagën mesatare të sektorit në 85 mijë lekë. Çdo ndërtues që deklaron paga nën këto nivele do të konsiderohet me risk dhe do të përballet me kontrolle, ndërsa autoritetet synojnë të formalizojnë tregun dhe të frenojnë abuzimet me kostot e deklaruara.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat