Secondary Adv

Seanca maratonë 14 orë, ja çfarë projektligjesh u miratuan në Kuvend

Kuvendi zhvilloi një seancë 14-orëshe ku u miratua një numër i lartë projektligjesh që prekin integrimin europian, hekurudhat, energjinë, mjedisin dhe strukturat e mbikëqyrjes.

Marrëveshje ndërkombëtare dhe aderime të reja

Deputetët miratuan denoncimin e marrëveshjes me fondacionin gjerman Hanns-Seidel, aderimin në Traktatin e Marrakeshit për aksesin e të verbërve në veprat e botuara, si dhe pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale lidhur me krimin e agresionit. Po ashtu, u miratua aderimi në memorandumin e kontrollit shtetëror portual në rajonin e Mesdheut.

 

Projektet hekurudhore dhe energjetike

Kuvendi miratoi grantin e BE-së prej 60.5 milionë eurosh dhe dy marrëveshje kredie me BEI dhe BERZH për projektin hekurudhor të Korridorit VIII, faza I – Durrës–Rrogozhinë. U ratifikua edhe marrëveshja e garancisë për projektin fotovoltaik të KESH, pjesë e tranzicionit energjetik.

 

Ndryshime ligjore në sektorët mjedisorë dhe ekonomikë

Deputetët miratuan ligjin për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve për mbetjet, ndryshimet në ligjin për sektorin minerar, si dhe amendimet për shërbimet dhe produktet biocide. Kuvendi miratoi edhe ndryshimet në ligjin që rregullon rolin e tij në procesin e integrimit europian dhe shtesat në ligjin për Avokatin e Popullit.

 

Emërime të rëndësishme në institucione të pavarura

Adela Xhemali u zgjodh Drejtoreshë e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, ndërsa Lefterie Lleshi Luzi u emërua Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Po ashtu u miratua ngritja e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik brenda Komisionit të Ekonomisë.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat