Global Peace Index: Lista e vendeve më të sigurta në botë, ku renditet Shqipëria
Instituti për Ekonomi dhe Paqe ka publikuar raportin e tij vjetor për vitin 2025 mbi Indeksin Global të Paqes, një studim i detajuar që mat nivelin e sigurisë dhe stabilitetit në mbi 160 shtete të botës.
Sipas raportit, pesë vendet më të sigurta në botë për këtë vit janë: Islanda, Irlanda, Zelanda e Re, Austria dhe Zvicra, vende që dallohen për institucione të qëndrueshme, korrupsion të ulët dhe infrastrukturë funksionale.
Në kontrast me këto rezultate pozitive, Shqipëria ka pësuar një rënie në renditje, duke humbur disa pozicione krahasuar me vitin e kaluar. Raporti thekson se faktorët që kanë ndikuar në këtë rënie lidhen me pabarazitë sociale, perceptimin për korrupsion dhe mungesën e besimit te institucionet publike. Renditemi në vend të 52-të, me vlerësim pikësh 1.812/5.
Në nivel rajonal, Sllovenia, Kroacia dhe Greqia renditen më lart se Shqipëria në indeks, duke u cilësuar si vende me nivel më të lartë sigurie dhe stabiliteti politik.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar është ngjitur në vendin e 30-të, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten shumë poshtë në listë, në vendin e 128-të, nën Mozambik dhe Kenia.
Raporti i Institutit për Ekonomi dhe Paqe nënvizon se niveli i paqes globale ka rënë për të katërtin vit radhazi, për shkak të konflikteve të reja, tensioneve ekonomike dhe polarizimit politik në shumë vende të botës.
Në fund të renditjes, vendet më të pasigurta mbeten Afganistani, Siria dhe Sudani i Jugut, të goditura rëndë nga konfliktet e brendshme dhe mungesa e stabilitetit politik.