Drafti, Qeveria vendos të hetojë dhe filtrojë investimet e huaja në sektorët kritikë
Qeveria ka vënë në tryezë një projekt-vendim që krijon, për herë të parë, një mekanizëm të strukturuar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte në sektorë kritikë të ekonomisë shqiptare.

Rregullorja e re mbulon infrastrukturën publike kritike, teknologjitë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, qasjen në të dhëna të ndjeshme, si dhe investimet që prekin lirinë e medias.
Ky hap e afron Shqipërinë me kuadrin europian të kontrollit të investimeve të huaja, në përputhje me Rregulloren (BE) 2019/452, duke e shndërruar sigurinë kombëtare dhe rendin publik në filtra kryesorë për hyrjen e kapitalit të huaj në ekonomi, thuhet në argumentimin e projekt-vendimit.
Sektorët “e ndjeshëm” dhe “veçanërisht të ndjeshëm”
Drafti dallon mes investimeve në sektorë “të ndjeshëm” dhe “veçanërisht të ndjeshëm”. Në kategorinë e parë hyjnë, ndër të tjera, energjia, transporti, shëndetësia, teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, si dhe infrastruktura dixhitale. Në këto fusha, rregullorja vendos pragun e pjesëmarrjes së investitorit të huaj në shoqërinë objektivë në të paktën 25%, duke parashikuar kontroll edhe kur pjesëmarrja rritet në nivelet 30%, 40%, 50% dhe 75%.
Për sektorët “veçanërisht të ndjeshëm”, mekanizmi bëhet edhe më strikt: mjafton një pjesëmarrje prej 10% që investimi të hyjë në fushëveprimin e shqyrtimit. Në këtë kategori përfshihen infrastrukturat dhe teknologjitë më strategjike, mallrat me përdorim të dyfishtë, si dhe shërbimet e kërkimit dhe zhvillimit me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare.
Në të gjitha rastet, rregullorja nuk synon frenimin e investimeve financiare tip “portofoli” pa ndikim në kontroll apo menaxhim, as riorganizimet e brendshme të grupeve, por godet rastet kur përmes kapitalit të huaj fitohet ndikim vendimtar mbi vendimmarrjen strategjike të kompanisë.
Komiteti Ndërministror dhe mekanizmi i shqyrtimit
Bërthama e mekanizmit është Komiteti Ndërministror për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte, i kryesuar nga Ministri i Ekonomisë dhe ku marrin pjesë përfaqësues nga financat, infrastruktura dhe energjia, mbrojtja, rendi, diplomacia, drejtësia, Agjencia e Inteligjencës, AKSHI, Agjencia Kombëtare e Falimentimit, si dhe institucione të tjera sipas rastit.
Ky komitet mbështetet nga struktura përgjegjëse brenda Ministrisë së Ekonomisë, e cila vepron si sekretariat, mbledh dokumentacionin, koordinon procesin dhe mban sistemin e informacionit për të gjitha investimet që i nënshtrohen kontrollit. Bie në sy se AIDA si agjencia përgjegjëse për investimet e huaja nuk figuron askund në draft.
Investitori i huaj detyrohet të paraqesë një kërkesë të posaçme për informacion dhe dokumentacion përpara përfundimit të investimit. Brenda disa ditësh pune, struktura përgjegjëse verifikon nëse dosja është e plotë dhe ia kalon çështjen Komitetit. Ky i fundit, brenda 30 ditëve, duhet të marrë një vendim fillestar: ose ta lejojë investimin pa hetim të mëtejshëm, ose të hapë një procedurë hetimi të detajuar, kur shihen rreziqe për sigurinë kombëtare apo rendin publik.
Në fazën e hetimit të detajuar, Komiteti mund të vendosë tre lloje zgjidhjesh: miratim të investimit pa kushte; miratim me kushte dhe masa zbutëse (p.sh. kufizim të të drejtave të votës, kërkesa për ristrukturim të marrëveshjeve, etj.); ose ndalim të investimit, kur rreziku vlerësohet i papranueshëm. Vendimi i Komitetit nuk është i pakundërshtueshëm – investitori mund të ankimojë në Gjykatën e Tiranës brenda 30 ditëve, por ankimi nuk pezullon zbatimin.
Bashkëpunimi me BE-në dhe filtrimi i investimeve nga vendet e treta
Rregullorja nuk e sheh Shqipërinë të izoluar, por si pjesë të rrjetit europian të “screening-ut” të IHD-ve. Struktura përgjegjëse në Ministrinë e Ekonomisë duhet të njoftojë Komisionin Europian dhe Shtetet Anëtare për investimet që mund të kenë ndikim ndërkufitar në sigurinë dhe rendin publik, të vlerësojë komentet e tyre dhe, në rast devijimesh, të japë një justifikim me shkrim.
Po ashtu, Shqipëria rezervon të drejtën të japë komente për investime të huaja direkte që zhvillohen në juridiksione të tjera, kur ato mund të prekin sigurinë e saj kombëtare ose të rajonit. Në mënyrë të veçantë, rregullorja parashikon trajtim të posaçëm për investimet që prekin projekte apo programe me interes të BE-së, sidomos kur financohen në masë të konsiderueshme nga fondet europiane apo lidhen me infrastrukturë kritike.
Një element me rëndësi është edhe filtri për investitorët e BE-së që kontrollohen, drejtpërdrejt apo tërthorazi, nga qeveri të vendeve të treta, fonde kredie ose struktura pronësie që u japin aktorëve joshqiptarë ndikim vendimtar në vendimmarrjen strategjike. Edhe në këto raste, investimi mund të konsiderohet de facto si “i huaj nga vend i tretë” dhe t’i nënshtrohet mekanizmit të plotë të shqyrtimit.
Sanksione të forta për mosrespektimin e rregullave
Për të garantuar efektivitet, rregullorja parashikon një regjim të detajuar sanksionesh administrative. Nëse investitori nuk paraqet fare kërkesën për shqyrtim për një investim që hyn në fushëveprimin e rregullores, i vendoset një gjobë prej 5 000 eurosh. Në rast të mosdorëzimit të informacionit të kërkuar, gjoba mund të shkojë në 10 000 euro, ndërsa për paraqitje të qëllimshme të informacionit të rremë, parashikohet gjobë 50 000 euro.
Në rastet më të rënda, kur investimi zbatohet pavarësisht ndalimit, kur miratimi merret mbi bazën e informacioneve të rreme, apo kur nuk zbatohen masat lehtësuese të vendosura nga Komiteti, gjoba mund të arrijë deri në dyfishin e vlerës së investimit. Parashikohet edhe pavlefshmëria e marrëveshjeve të blerjes së aksioneve dhe detyrimi për korrigjimin e pasojave juridike e ekonomike të një transaksioni të ndaluar.
Hap drejt integrimit europian, por edhe një test për administratën
Nga një këndvështrim ekonomik, mekanizmi i ri rrit ndjeshëm transparencën dhe sigurinë rregullatore për investitorët seriozë, duke i bërë rregullat e lojës më të qarta për të gjithë – sidomos në sektorë ku ndërthuren interesat strategjike të shtetit, siguria kombëtare dhe tregu i lirë.
Nga ana tjetër, ai përbën një test të rëndësishëm për kapacitetet e administratës: koordinimi ndërinstitucional, mbajtja e afateve, menaxhimi i informacionit konfidencial, si dhe bashkëveprimi me Komisionin Europian dhe Shtetet Anëtare do të jenë faktorë kyç për të mos e kthyer filtrin e sigurisë në një barrë të panevojshme burokratike për investimet e ligjshme.
Me këtë draft-rregullore, Shqipëria i afrohet standardeve të BE-së në fushën e kontrollit të investimeve të huaja, por sfida reale do të nisë ditën kur teksti të hyjë në fuqi dhe të përballet me rastet konkrete në sektorët më strategjikë të ekonomisë.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






