Secondary Adv

Raporti i RCC: Pensionet, shqetësimi më i madh për shqiptarët

Në të gjithë rajonin, shqiptarët janë më të kënaqurit me ekonominë  e tyre.

Sipas një raporti të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), gati 31% e shqiptarëve të pyetur shprehen se janë shumë të kënaqur, ndjekur nga Kosova me 29%, ndërsa serbët dhe boshnjakët kanë nivelin më të ulët të kënaqësisë ndaj ekonomisë së tyre.

 

Pas një rritjeje të ndjeshme të pakënaqësisë në vitin 2022, numri i qytetarëve të pakënaqur me ekonominë rezulton të ketë rënë në 44.7% nga 58% që ishte më parë.

 

Në 2025, shqetësimet më të mëdha në të gjithë Ballkanin Perëndimor lidhen me kushtet ekonomike, duke nisur në radhë të parë me koston e lartë të jetesës dhe inflacionin, pasuar nga shqetësimet mbi pagat, pensionet dhe nivelet e taksave, të cilat ushtrojnë presion mbi të ardhurat e familjeve.

 

Në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, këto shqetësime janë shumë të theksuara. Shqetësimi më i madh për shqiptarët raportohet të jenë pensionet, ndërsa për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, inflacioni dhe kostoja e jetesës mbeten problemet kryesore.

 

Megjithëse mund të duket kontradiktore me faktin se shprehemi më të kënaqurit me ekonominë, Shqipëria raporton edhe nivelin më të lartë të pasigurisë financiare në vitin 2025, me 54.5% të shqiptarëve të pyetur që deklarojnë se nuk mund ta mbulojnë një shpenzim të papritur prej afërsisht 1000€ pa marrë hua ose pa u mbështetur te të tjerët, një rritje e lehtë nga 53.3% që ishte në vitin 2024. Edhe Maqedonia e Veriut tregon një nivel të ngjashëm, me gati gjysmën e qytetarëve të paaftë për të menaxhuar një kosto të tillë emergjente në vitin 2025.

 

Po ashtu, shqiptarët nuk janë në gjendje të shpenzojnë para për veten e tyre çdo javë, me 40.5% e të anketuarve, shkalla më e lartë në rajon. Nga ana tjetër, Shqipëria raportoi edhe me numrin më të lartë të njerëzve që deklaruan se nuk kishin mundësi të dilnin me miqtë ose familjen çdo muaj.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat