Inovacioni, bizneset dhe universitetet shqiptare me investimet më minimale në Europë
Shpenzimet për kërkim-zhvillim në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në kontinent, duke e vendosur vendin shumë larg standardeve të Bashkimit Europian dhe ekonomive të avancuara.
Diferencë e madhe me mesataren e BE-së
Sipas Eurostat, në vitin 2024 Shqipëria investoi vetëm 0.2% të PBB-së në kërkim-zhvillim, ndërsa mesatarja e BE-së arrin në 2.24%. Diferenca është gati 15-fish, duke treguar boshllëkun e thellë në kapacitetet teknologjike dhe inovative. Zona euro ka një nivel të ngjashëm prej 2.28%, ndërsa vendet më inovative si Koreja e Jugut dhe SHBA shpenzojnë mbi 3–4% të PBB-së.
Bizneset nuk investojnë në inovacion
Sektori privat, që zakonisht udhëheq inovacionin, në Shqipëri pothuajse mungon në këtë drejtim. Investimet e bizneseve në R&D arrijnë vetëm 0.02% të PBB-së, kundrejt 1.49% në BE. Vende të rajonit si Turqia, Greqia dhe Italia shpenzojnë nga 0.79% deri në 0.91%, ndërsa shtetet nordike arrijnë nivele shumë më të larta. Kjo mungesë investimesh kufizon ndjeshëm aftësinë konkurruese të kompanive shqiptare.
Shteti dhe universitetet me mbështetje minimale
Sektori publik shpenzon 0.07% të PBB-së për kërkim-zhvillim, shumë më pak se 0.24% që është mesatarja e BE-së. Edhe arsimi i lartë mbetet i nën-financuar, me investime prej vetëm 0.06% të PBB-së, kundrejt 0.48% në union. Universitetet shqiptare kanë kapacitet të kufizuar kërkimor dhe prodhim shkencor, ndërsa vendet e rajonit investojnë disa herë më shumë.
Rreziku i mbetjes pas trendeve globale
Mungesa e investimeve në R&D rrezikon ta lërë Shqipërinë jashtë zhvillimeve teknologjike dhe zinxhirëve globalë të vlerës, duke ndikuar negativisht në produktivitetin e punës dhe rritjen ekonomike. Për të kapur ritmin e vendeve europiane, kërkohet një strategji e re kombëtare që përfshin bizneset, universitetet dhe qeverinë.