Secondary Adv

Kërkesa jashtë rrit eksportet dhe çmimet e bimëve mjekësore deri 10 për qind për janar-tetor

Sektori i bimëve mjekësore po rikuperon humbjet e viteve të fundit, teksa eksportet dhe çmimet janë rritur ndjeshëm në janar–tetor 2025.

Eksportet rriten pas tre vitesh vështirësish

Për periudhën janar–tetor 2025, eksportet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” u rritën me rreth 8%, sipas INSTAT. Ky rikthim në rritje vjen pas goditjes së rëndë që sektori pësoi nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit, i cili uli të ardhurat e eksportuesve, sidomos gjatë vitit 2023 kur eksportet ranë me rreth 22% krahasuar me 2022-in.

 

Kërkesa e lartë jashtë rrit çmimet

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Filip Gjoka, thotë se rritja e eksporteve lidhet kryesisht me çmimet më të larta në tregjet ndërkombëtare. Bimë si rrënja e qumështores, çaji i malit, boronica dhe lulja e fjanit kanë pasur kërkesë të lartë në Europë, SHBA, Australi dhe Singapor. Çmimet për disa artikuj janë rritur nga 4 deri në 10%, çka po ndihmon kompanitë të kompensojnë një pjesë të humbjeve nga kursi i këmbimit.

 

Eksportuesit zgjerojnë tregjet dhe gamën e produkteve

Për të shmangur varësinë nga tregjet tradicionale, shumë kompani po orientojnë eksportet drejt tregjeve aziatike, duke ofruar produkte që mungojnë nga vendet e rajonit. Një pjesë e operatorëve po zgjerojnë gjithashtu edhe gamën e artikujve me synimin për të përfituar më shumë nga kërkesa globale.

 

Mungesa e investimeve në përpunim pengon rritjen

Ndonëse kërkesa dhe çmimet po përmirësohen, problemet strukturore mbeten. Vetëm 25% e operatorëve arrijnë të prodhojnë produkt final të përpunuar, ndërsa 75% e eksporteve vazhdojnë të shiten si lëndë e parë, duke humbur vlerën e shtuar që mund të mbetej në ekonomi. Sipas Gjokës, mungesa e investimeve në kapacitete përpunuese kufizon rritjen afatgjatë të sektorit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat