Secondary Adv

E konfirmon ministri: Vitin e ardhshëm jo më bonuse, por rritje pensionesh

Ministri i Financave Petrit Malaj deklaron se nga viti 2026 skema e pensioneve ndryshon drejt rritjes së qëndrueshme vjetore, duke zëvendësuar bonuset sezonale.

Pensionet drejt rritjes së përhershme

Gjatë një interviste për “E-ZONE” në Vizion Plus, ministri i Financave Petrit Malaj sqaroi se politika e dhënies së bonuseve për pensionistët po i jep fund funksionimit të saj. Ai theksoi se viti 2026 është pikënisja e reformës së re, e cila synon rritjen e qëndrueshme të pensioneve deri në fund të mandatit qeverisës. Objektivi është që pensioni mesatar urban të arrijë në 40 mijë lekë, ai urban i pjesshëm në 22 mijë lekë, pensioni rural dhe ai familjar në 18 mijë lekë, ndërsa pensioni i invaliditetit të shkojë në 30 mijë lekë.

 

Kostoja dhe afatet e reformës

Sipas Malajt, fondet për rritjen e pensioneve janë të parashikuara në buxhet deri në vitin 2028. Vetëm për vitin e ardhshëm, kostoja e kësaj rritjeje llogaritet në 105 milionë euro, ndërsa deri në fund të 2028-s shpenzimet totale të reformës arrijnë në 1.7 miliardë euro. Ministri theksoi se skema e pensioneve kërkon një sforco të madhe buxhetore, por sipas tij vendi është në rrugën e duhur për realizimin e objektivave.

 

Bonuset e fundvitit dhe pranverës, jo më automatikisht

Ndonëse drafti ekonomik për vitin 2026 nuk parashikon bonus fundviti, Malaj tha se ky element do të vlerësohet në bazë të ecurisë ekonomike dhe performancës buxhetore deri në shtator të vitit të ardhshëm. Ai sqaroi se bonuset e viteve të mëparshme ishin një masë e përkohshme deri në nisjen e reformës së skemës, ndaj nuk mund të konsiderohen më si mekanizëm i përvitshëm.

 

“Koha e bonuseve po mbyllet”

I pyetur nëse mund të konsiderohet e mbyllur faza e bonuseve, ministri u shpreh qartë se politika e qeverisë tashmë orienton drejt rritjes së qëndrueshme të pensioneve, duke e zëvendësuar logjikën e shpërblimeve të rastësishme me shtesa të garantuara çdo vit.

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat