Bursa e Energjisë parashikon 1.35 mln euro të ardhura nga transaksionet ne 2026
Bursa Shqiptare e Energjisë parashikon 135 milionë lekë të ardhura në vitin 2026 nga tarifat mbi transaksionet e energjisë në Shqipëri dhe Kosovë.
Rritje e ndjeshme e të ardhurave nga transaksionet
ALPEX ka dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë kërkesën për tarifat e vitit 2026, ku parashikon rritje të konsiderueshme të të ardhurave falë zgjerimit të volumit të tregtimit të energjisë. Sipas projekt-parashikimeve, bursa pret të arkëtojë 135,962,909 lekë vitin e ardhshëm, shumë më e lartë se 87 milionë lekët e pritshme për vitin aktual.
Pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga Shqipëria
Sipas dokumentit, 77.39 milionë lekë do të gjenerohen nga zona e ofertimit të Shqipërisë, ndërsa 58.56 milionë lekë nga zona e ofertimit të Kosovës. Parashikimi bazohet në volumin e tregtisë së vitit 2024, trendet e nëntëmujorit të 2025 dhe ndryshimet e pritshme për vitin 2026.
Bursa po zgjerohet me ritme të shpejta
ALPEX nisi operimin në Shqipëri në prill 2023, ndërsa në Kosovë aktiviteti u bë efektiv në 2024. Aktualisht, 42 kompani janë anëtarë të bursës dhe 5 institucione financiare veprojnë si anëtarë të përgjithshëm të klerimit. Në zonën shqiptare operojnë 26 anëtarë, mes tyre 5 publikë dhe 21 privatë, si edhe dy banka për klerimin e transaksioneve. Në zonën kosovare janë 16 anëtarë aktivë dhe tre banka të licencuara për shërbimet e klerimit.