Secondary Adv

AmCham: Pas 30 ditësh informim, nis në janar kontrolli për sektorin e ndërtimit

Drejtoria e Tatimeve paralajmëron se nga janari 2026 do të nisë kontrolli në ndërtim, pas një faze informimi që synon të rrisë përmbushjen vullnetare dhe transparencën fiskale.

Tatimet prezantojnë prioritetet e vitit 2026

Anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë zhvilluan një takim me drejtorin e përgjithshëm të administratës tatimore, Ilir Binaj, i cili prezantoi drejtimet kryesore të punës për vitin e ardhshëm. Ai theksoi se fokusi do të jetë zbatimi i paketës së re fiskale, rimbursimi i TVSH-së për individët dhe fermerët, si dhe formalizimi i ekonomisë – veçanërisht në aspektin e pagave.

 

Binaj theksoi se administrata synon të rrisë profesionalizmin dhe të ulë numrin e kontrolleve, duke u fokusuar te analiza e riskut dhe cilësia e verifikimeve. Sektorët që do të mbeten prioritarë janë ndërtimi, turizmi dhe siguria ushqimore.

 

Paqja fiskale dhe harmonizimi me BE

Drejtori i Tatimeve foli edhe për paqen fiskale, të cilën e cilësoi si një mekanizëm të ndërmjetëm mes nevojës për të mbledhur të ardhurat dhe shqetësimeve të biznesit për kontrollet e shpeshta. Sipas tij, qëllimi është garantimi i barazisë fiskale, thjeshtësisë dhe rritjes së përmbushjes vullnetare. Ai nënvizoi se institucioni po punon me afate të ngushta për harmonizimin e rreth 50 direktivave të BE-së në kuadër të Kapitullit 16, me asistencë nga Administrata Tatimore Suedeze.

 

Kontrollet në ndërtim: informim 30-ditor dhe më pas verifikime

Binaj bëri të ditur se në janar nis fushata e re për sektorin e ndërtimit: fazën e parë do ta përbëjë një periudhë 30-ditore informimi, gjatë së cilës bizneset do të marrin njoftime për detyrimet dhe dokumentacionin e kërkuar.

 

Pas përfundimit të këtij afati, administrata do të nisë kontrollet me fokus tek çmimet e shitjes, deklarimet e pagave dhe aktiviteti i tanishëm i subjekteve. Bizneset që nuk përgjigjen ndaj thirrjeve të Tatimeve do të jenë subjekt i verifikimeve të thelluara.

 

Objektivat e administratës

Sipas Binajt, synimi është që Tatimet të mos perceptohen vetëm si organ verifikues, por si institucion që edukon dhe lehtëson tatimpaguesit, duke ruajtur njëkohësisht standarde të larta etike dhe efektivitet në mbledhjen e të ardhurave. Administrata shërben aktualisht për rreth 140 mijë tatimpagues dhe mbledh 4.5 miliardë lekë në vit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat