Secondary Adv

Rama: Shqipëria garanton stabilitet, investitorët e huaj do të mbështeten me stimuj fiskalë

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje investitorëve të huaj të shfrytëzojnë momentin e transformimit të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ofron stabilitet, ambicie zhvillimi dhe mbështetje fiskale për sektorët strategjikë.

Thirrja për investime në “Forumin Ekonomik të Tiranës”

Duke folur në “Forumin Ekonomik të Tiranës”, Kryeministri Rama i ftoi investitorët ndërkombëtarë të hyjnë në tregun shqiptar “përpara se të jetë vonë”, duke nënvizuar se vendi është në një fazë rritjeje të shpejtë dhe se mundësitë aktuale nuk do të mbeten të hapura përgjithmonë. Ai tha se Shqipëria po transformohet ndjeshëm dhe se investitorët duhet të besojnë në këtë zhvillim.

 

“Besoni te kjo Shqipëri që po ngrihet, investoni në këtë Shqipëri që po transformohet, bëhuni pjesë e historisë së suksesit që ne po ndërtojmë, përpara se të jetë vonë”, deklaroi Rama, duke theksuar se vendi ofron një klimë të qëndrueshme dhe perspektivë afatgjatë për investime.

 

Katër shtyllat strategjike të zhvillimit

Rama renditi katër sektorët që qeveria i konsideron shtylla të dekadës së ardhshme dhe ku ofrohen stimuj për investime. I pari, energjia e gjelbër, ku Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të energjisë së rinovueshme dhe synon të bëhet nyje energjetike rajonale. Së dyti, infrastruktura moderne, që sipas tij do ta kthejë vendin në një kryqëzim logjistik midis Ballkanit dhe Europës.

 

Shtylla e tretë është turizmi cilësor dhe i qëndrueshëm, një sektor që qeveria synon ta zhvillojë në destinacione të standardeve të larta gjatë gjithë vitit. Ndërsa e katërta lidhet me teknologjinë dhe inovacionin, ku Rama tha se Shqipëria po ndërton një ekosistem start-up-esh, talentesh në IT, inteligjencë artificiale, FinTek dhe industri kreative që po formësojnë ekonominë e re.

 

Mbështetje dhe stimuj fiskalë për investitorët

Kryeministri siguroi se qeveria është e gatshme të ofrojë stimuj fiskalë dhe partneritete për investitorët që sjellin dije, inovacion dhe ekspertizë. Ai u shpreh se investimi sot në Shqipëri do të thotë hyrje në një treg me potencial të madh të nesërmen, duke theksuar se vendi ofron stabilitet politik dhe ekonomik.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat