Taksa e karbonit: BB sugjeron unifikim tarifash për karburantet dhe indeksim me inflacionin
Banka Botërore rekomandon që Shqipëria të reformojë taksën e karbonit duke e indeksuar me inflacionin, unifikuar për të gjitha karburantet dhe lidhur më ngushtë me angazhimet klimatike europiane.
BB: Taksa aktuale nuk reflekton ndikimin real mjedisor
Një raport i Bankës Botërore sjell në vëmendje se taksa e karbonit në Shqipëri ka nevojë për rishikim të thelluar për t’u përshtatur me Marrëveshjen e Parisit dhe me mekanizmat e rinj europianë për çmimin e karbonit. Sipas dokumentit, vendi taton më fort karburantet për transport, ndërsa qymyri dhe gazi natyror mbeten të nën-taksuar, pa reflektuar kostot mjedisore dhe dëmet klimatike.
Raporti thekson se çmimet me pakicë të qymyrit dhe gazit natyror aktualisht mbulojnë vetëm kostot e furnizimit, duke mos përfshirë ndotjen e ajrit apo pasojat globale nga emetimet e gazrave serrë. Kjo bën që struktura e taksave për karburantet fosile të mos jetë në linjë me objektivat klimatike të vendit.
Reforma e taksës së qymyrit: ndikime pozitive në emetime dhe të ardhura
Banka Botërore vlerëson si hap të parë pozitiv rritjen e fundit të taksës së karbonit mbi qymyrin. Sipas saj, kjo masë mund të ulë emetimet me rreth 8.6 për qind deri në vitin 2030, duke arritur 75 për qind të angazhimit të Shqipërisë sipas Marrëveshjes së Parisit. Ndërkohë, të ardhurat buxhetore mund të rriten deri në 0.31 për qind të PBB-së, pa prekur rritjen ekonomike apo pabarazinë sociale.
Në skenarin ku taksa shqiptare afrohet me çmimet e Tregut Europian të Emetimeve, ulja e emetimeve mund të arrijë 9.54 për qind deri në vitin 2030, ndërsa të ardhurat fiskale mund të rriten deri në 0.35 për qind të PBB-së.
Rreziqet nga mekanizmi europian i karbonit
Në raport nënvizohet se përgatitja për Mekanizmin e Rregullimit të Karbonit në Kufij të BE-së është urgjente, pasi eksportet shqiptare drejt Europës, sidomos në sektorë energji-intensivë, janë rritur. Një taksë kombëtare më e fortë karboni do të reduktonte rrezikun që prodhimet shqiptare të penalizohen nga tarifat e BE-së.
Pesë propozimet kryesore të Bankës Botërore
Në raport paraqiten disa masa që Shqipëria mund të marrë në vitet e ardhshme për ta bërë taksën e karbonit më efikase dhe të harmonizuar me standardet ndërkombëtare. Propozimet përfshijnë sqarimin e bazës së taksës që lidhet me përmbajtjen e karbonit, indeksimin e saj me inflacionin dhe vendosjen e një takse të unifikuar për të gjitha karburantet fosile në ekonomi.
Po ashtu rekomandohet që një pjesë e të ardhurave të përdoret për kompensimin e familjeve më të cenueshme, si dhe miratimi i politikave shtesë për të përshpejtuar dekarbonizimin në sektorë kyç.