Secondary Adv

Remitancat arrijnë rekordin 817 mln euro në janar–shtator

Paratë që emigrantët dërguan drejt familjeve në Shqipëri kapën 817 milionë euro në 9-mujorin 2025, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë.

Flukset rriten me ritme të qëndrueshme

Sipas Bankës së Shqipërisë, remitancat u rritën me 5.9% krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar valën e re të emigracionit që ka nisur pas vitit 2015. Vetëm në tremujorin e tretë, emigrantët sollën 285 milionë euro, 8.8% më shumë se një vit më parë, si pasojë e kthimeve sezonale gjatë verës.

 

Nivele rekord dhe tendencë për të kaluar 1 miliard euro

Që prej vitit 2013 remitancat kanë ardhur në rritje të pandërprerë, përveç një uljeje të përkohshme në vitin 2020 për shkak të pandemisë. Në 9-mujorin 2024 për herë të parë u tejkalua shifra 800 milionë euro, ndërsa këtë vit ritmi tregon se dërgesat mund të kalojnë 1 miliard euro deri në fund të vitit.

 

Emigracioni i ri mbështet familjet në vend

Sipas Eurostat, vetëm gjatë viteve 2022–2023 rreth 154 mijë shqiptarë morën leje qëndrimi për herë të parë në vendet e BE-së, duke shtuar ndjeshëm potencialin e remitancave. Që prej vitit 2008 mbi 920 mijë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi, kryesisht në Greqi dhe Itali, por vitet e fundit edhe në Angli dhe Gjermani.

 

Si llogariten remitancat

Sipas metodologjisë së FMN-së, remitancat përfshijnë dërgesat formale dhe ato të vlerësuara si prurje informale. Banka e Shqipërisë përdor të dhënat e bankave, raportimet e institucioneve financiare dhe anketa me familjet për të matur flukset reale që hyjnë në ekonomi.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat