Investimet e huaja rriten me ritme më të shpejta në tremujorin e tretë
Investimet e huaja direkte u përshpejtuan në tremujorin e tretë të vitit, duke shënuar një rritje të fortë të flukseve të kapitalit dhe duke çuar totalin vjetor në nivele historike.
Rritje dyshifrore në tremujorin e tretë
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja arriti në 449 milionë euro për periudhën korrik–shtator, rritje 10.6% krahasuar me një vit më parë. Pas një gjysmëvjetori me ritme më të moderuara, ky tremujor shënoi një përshpejtim të qartë të hyrjes së kapitalit të huaj.
Viti 2025 drejt një tjetër rekordi
Për 9-mujorin, investimet e huaja arritën në 1.208 miliardë euro, rreth 4.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024, duke vijuar trendin historik rritës të viteve të fundit.
Pasuritë e paluajtshme mbeten motori kryesor
Edhe pse statistikat e detajuara për tremujorin e tretë nuk janë publikuar, të dhënat e gjysmës së parë tregojnë se pasuritë e paluajtshme mbeten segmenti më i fortë. Investimet në këtë sektor arritën në 253 milionë euro, rritje 40% me bazë vjetore, dhe përbënin mbi një të tretën e totalit të investimeve të huaja.
Rikthimi i kapitalit të ri shtyn rritjen
Tremujori i tretë solli një ndryshim të dukshëm: rritja u mbështet më shumë nga injektimi i kapitalit të ri, i cili arriti në 228 milionë euro, rritje 31.8% krahasuar me një vit më parë. Për 9-mujorin, kapitali i ri i investuar nga kompanitë e huaja arriti në 573 milionë euro, 12.4% më shumë se viti 2024.
Fitimet e riinvestuara bien, por mbeten dominante
Ndryshe nga vitet e fundit, fitimi i riinvestuar pësoi rënie në tremujorin e tretë, duke zbritur në 212 milionë euro (-9.4%). Megjithatë, për periudhën janar–shtator ato mbetën pothuajse në të njëjtat nivele të vitit të kaluar, për një total prej 632 milionë eurosh. Fitimet e riinvestuara përbëjnë 52% të të gjithë investimeve të huaja direkte dhe mbeten veçanërisht të rëndësishme në sektorët nxjerrës dhe atë financiar.