Dhoma Amerikane kundër paqes fiskale: Nxit pastrimin e parave, legalizon kapitalin e dyshimtë
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kundërshtuar ashpër projektligjin për “Paqen Fiskale”, duke paralajmëruar rreziqe për legalizim kapitalesh të dyshimta, shtrembërim të konkurrencës dhe dobësim të administrimit tatimor.
Dhoma Amerikane paralajmëron pasoja të gjera
Deklarata e publikuar në ditën kur Kuvendi shqyrton paketën fiskale ngre shqetësime të thella juridike, ekonomike dhe financiare. Sipas Dhomës, projektligji krijon pabarazi të dukshme midis bizneseve të rregullta dhe atyre që kanë shmangur detyrimet, duke i vendosur tatimpaguesit korrektë në pozicion më të pafavorshëm. Mekanizmi i propozuar i rritjes së detyrueshme prej 18 për qind të bazës së tatueshme cilësohet si arbitrar, pa lidhje me performancën reale të biznesit dhe cënues i parimit të barazisë para ligjit.
Rrezik për legalizimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë
Një nga pikat më të forta të kritikës lidhet me mundësinë e rideklarimit të pasqyrave financiare të pesë viteve të fundit me tatim vetëm 5 për qind. Dhoma paralajmëron se mungesa e kërkesës për justifikim të fondeve ose dokumentacion mbështetës krijon terren për legalizimin e kapitaleve me burim të paqartë apo potencialisht kriminal, në kundërshtim me standardet kontabël dhe ligjet kundër pastrimit të parave.
Dobësim i administrimit tatimor dhe rritje e riskut për abuzime
Projektligji kufizon ndjeshëm kontrollin tatimor gjatë periudhës së marrëveshjes, duke e reduktuar atë në verifikime administrative, çka sipas Dhomës dobëson aftësinë e institucioneve për të identifikuar shmangiet. Po ashtu, mungojnë kriteret e qarta për përzgjedhjen e tatimpaguesve që mund të përfitojnë dhe nuk ka afate detyruese për shqyrtimin e kërkesave, duke lënë hapësirë të gjerë për subjektivitet dhe rreziqe korrupsioni.
Kosto të larta fiskale dhe risk për kulturën e përputhshmërisë
Dhoma vlerëson se norma e reduktuar 5 për qind krijon diferencë të madhe me tatimin e rregullt dhe nxit bizneset të kalojnë në skemë, duke ulur të ardhurat e buxhetit dhe duke dëmtuar stabilitetin fiskal. Parashikimet tregojnë rrezik për tkurrjen e bazës tatimore dhe përçimin e një sinjali se shmangia tatimore mund të shpërblehet, ndërkohë që përputhshmëria korrekte nuk stimulohet.
Probleme ligjore dhe mungesë transparence
Dhoma nënvizon se projektligji cenon parimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetin, ndërsa mungesa e konsultimit publik dhe procesi i përshpejtuar i hartimit e bëjnë reformën të pasigurt dhe jo të bazuar në standardet e mira të legjislacionit. Pa aktet nënligjore, zbatimi i ligjit mbetet i paqartë dhe me rrezik të lartë për konfuzion operacional.
Kërkesa për rishikim të plotë të nismës
Dhoma Amerikane i kërkon qeverisë të tërheqë dhe rishikojë projektligjin, duke theksuar nevojën për politika që forcojnë administratën tatimore, nxisin formalizimin, ruajnë konkurrencën e ndershme dhe mbajnë reputacionin ndërkombëtar të vendit. Edhe FMN ka paralajmëruar më herët se nisma mund të minojë progresin e viteve të fundit në administrim fiskal.
Çfarë parashikon drafti i paqes fiskale
Projektligji parashikon që bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, që hyjnë vullnetarisht në marrëveshje me administratën tatimore, të parapaguajnë tatim-fitimin mbi një bazë të rritur me 18 për qind. Fitimi real mbi këtë kufi tatohet me 5 për qind. Po ashtu, lejohet rideklarimi i pasqyrave financiare të pesë viteve të fundit me të njëjtin tatim të reduktuar.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






