21 mijë biznese të reja të regjistruara gjatë janar–nëntor 2025
Qendra Kombëtare e Biznesit raporton rreth 21 mijë biznese të reja të regjistruara në 11-mujorin 2025, duke sinjalizuar një vit me dinamizëm të lartë sipërmarrësie dhe përdorim të gjerë të shërbimeve digjitale.
Asistencë e zgjeruar për sipërmarrjen
Gjatë muajit nëntor, QKB ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për qytetarët dhe bizneset: 908 telefonata të asistuara, 392 komunikime përmes chat-it dhe 746 kërkesa të trajtuara me anë të biletave të asistencës dhe e-maileve. Këto shifra tregojnë rritjen e qasjes dhe mbështetjes teknike për përdoruesit e platformave të institucionit.
Rritje e fortë e aplikimeve online
Digjitalizimi mbetet një nga shtyllat kryesore të funksionimit të QKB-së. Vetëm në nëntor janë regjistruar 10,502 aplikime online, nga të cilat 1,538 për regjistrime të reja biznesi, 168 licenca të reja dhe 12 leje të lëshuara. Në total, 8,812 aplikime i përkasin Regjistrit Tregtar, 777 Regjistrit të Pronareve Përfitues dhe 913 sistemit të Lejeve dhe Licencave.
QKB në një fazë të re zhvillimi
Drejtori i ri i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Etugert Llazi, u shpreh për Ekofin.al se institucioni po hyn në një periudhë modernizimi të thelluar. Ai theksoi se prioriteti kryesor është rritja e digjitalizimit të shërbimeve, forcimi i rolit institucional dhe nisja e projekteve të reja që synojnë mbështetjen e sipërmarrjes në nivel kombëtar dhe rajonal. Objektivi final është krijimi i një ekosistemi të integruar shërbimesh që thjeshton dhe përshpejton çdo procedurë administrative për bizneset.