Kuvendi miratoi 12 projektligjet e Paketës Fiskale 2026
Pas zhvillimit të dy interpelancave, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Paketën Fiskale prej 12 projektligjesh të cilat sollën debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Megjithatë, shumica qeverisëse kaloi ndryshimet kryesore tatimore, përfshirë marrëveshjen e paqes fiskale, fshirjen e plotë të detyrimeve të papaguara deri në 2014 në tatime dhe dogana , rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore që reduktojnë përdorimin e parasë cash dhe ndryshimet në ligjin për TVSH-në për zbatimin e kompensimit 10% te fermerët.
Sipas njoftimit të Kuvendit, përkatësisht, u miratuan si më poshtë projektligjet:
-Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë””, të ndryshuar, u miratua me vota 81 PRO, 3 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
-Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, u miratua me 80 vota PRO, 25 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
-Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, u miratua me 84 vota PRO, 26 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
-Projektligj “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”” të ndryshuar, u miratua me 81 vota PRO, 18 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
-Projektligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, të ndryshuar, u miratua me 81 vota PRO, 27 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
-Projektligj “Për marrëveshjen e paqes fiskale”, u miratua me vota 75 PRO, 20 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
-Projektligj “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, u miratua me 76 vota PRO, 22 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
-Projektligj “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, u miratua me 73 vota PRO, 14 KUNDËR, 0 ABSTENIM.
Sa i përket projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026″, në fjalën e saj kryetarja e Komisionit të Ekonomisë znj. Milva Ekonomi, tha se janë pranuar kërkesat e 7 komisioneve për të shtuar shpenzimet për disa institucione me vlerë 504.9 milionë lekë, që do të mbulohen brenda tavaneve të parashikuara në buxhet. Ndërsa, sa i takon 50 amendimeve të opozitës, znj. Ekonomi tha se cënonin parametrat fiskale pasi rrisnin me 278.9 miliardë lekë shpenzimet.
Ky projektligj u miratua me 81 vota PRO, 16 KUNDËR, 0 ABSTENIM.