Secondary Adv

Kuvendi miraton Paqen Fiskale, fshihen mbi 1 mld euro detyrime të vjetra të bizneseve

Kuvendi miratoi projektligjin për “Paqen Fiskale”, që parashikon fshirjen e mbi 1 miliard eurove detyrime të vjetra të bizneseve, mes debatesh dhe kundërshtimesh të forta.

Projektligji u miratua me 75 vota pro, 20 kundër dhe asnjë abstenim. Edhe pse Komisioni i Ekonomisë kishte dhënë dakordësi për amendimin e propozuar nga Erion Braçe, që bizneset përfituese të deklaronin burimin e parave dhe pronarin përfitues, ky kusht u hoq gjatë votimit në seancë plenare.

 

Si funksionon Marrëveshja e Paqes Fiskale

Ligji parashikon lidhjen e një marrëveshjeje mes bizneseve të mëdha dhe administratës tatimore për parapagimin e tatim-fitimit. Mbi fitimin e deklaruar për vitin aktual, në vitin 2026 do të aplikohet një rritje e detyrueshme prej 18%. Çdo fitim që tejkalon këtë prag do të tatohet me normën preferenciale prej 5%.

 

Bizneset që hyjnë në marrëveshje fitojnë gjithashtu të drejtën të korrigjojnë pasqyrat financiare të pesë viteve të mëparshme deri në 30%. Për shembull, nëse në vitin 2022 janë deklaruar 200 mijë euro të ardhura, ato mund të rriten deri në 260 mijë euro, ndërsa diferenca tatohet vetëm me 5%.

 

Debatet dhe reagimet politike

Opozita e cilësoi projektligjin si një “amnisti të maskuar fiskale”. Deputeti Agron Bozdo u shpreh se “ky është një projektligj si lavatriçe parash dhe duhet ribërë nga e para”. Pas rrëzimit të amendimeve shtesë për kontrollin e burimit të fondeve, deputetja Jorida Tabaku deklaroi se ligji do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

 

Të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë BE-në dhe FMN-në, janë shprehur kundër nismës, duke paralajmëruar rreziqe për disiplinën fiskale dhe konkurrencën e ndershme.

 

Ligji për fshirjen e detyrimeve të vjetra

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe ligjin “Për fshirjen e detyrimeve”, me 73 vota pro dhe 14 kundër. Sipas këtij ligji, të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të krijuara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

Në total, nga kjo nismë preken rreth 2 miliardë euro detyrime, nga të cilat mbi 1 miliard euro borxhe falen automatikisht për shkak të vjetërsisë mbi 10 vite. Detyrimet e krijuara në periudhën 2015–2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen nga subjektet përkatëse.

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat