Secondary Adv

Ndryshon lista e projekteve prioritare, cilat janë investimet e mëdha në fokus të qeverisë

Qeveria ka përditësuar Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare, duke përfshirë 120 investime madhore që konsiderohen strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit për periudhën 2026–2028.

Lista e re, e publikuar në Fletoren Zyrtare si pjesë e dokumentit të politikave prioritare, përmbledh projektet e investimeve publike pavarësisht burimit të financimit të tyre. Ato janë të kategorizuara sipas nivelit të prioritetit në tre grupe (A, B dhe C), si dhe sipas shkallës së përgatitjes: projekte të maturuara, pjesërisht të maturuara dhe të pamaturuara.

 

Projektet e maturuara, në fokus infrastruktura

Projektet e konsideruara të maturuara janë ato për të cilat është kryer studimi i fizibilitetit dhe është vlerësuar si i realizueshëm, ose ndodhen në fazë të avancuar të dokumentacionit teknik. Në këtë kategori renditen 48 projekte, të shpërndara në sektorë të ndryshëm, me peshë të veçantë në infrastrukturë.

 

Ndër investimet kryesore infrastrukturore përfshihen rehabilitimi i rrugës Fier–Kthesa e Patosit–Frataj me vlerë 40 milionë euro, ndërtimi i bypass-it të Sarandës me 34 milionë euro, ndërtimi i aksit rrugor Elbasan–Lekaj si pjesë e Korridorit VIII me një vlerë të vlerësuar prej 360 milionë euro, si dhe programi për përmirësimin e lidhjeve rajonale me 195 milionë euro.

 

Lista përfshin gjithashtu ndërtimin e bypass-it të Tiranës me 223 milionë euro, Korridorin Adriatiko-Jonian në segmentin Milot–Balldren me 213 milionë euro, zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës me 298.8 milionë euro, ndërtimin e rrugës Tiranë–Ndroq–Plepa me 87 milionë euro dhe bypass-in e Elbasanit me 240 milionë euro.

 

Hekurudhat dhe energjia mes prioriteteve

Në listën e projekteve të maturuara zënë vend edhe investimet hekurudhore, ku përfshihen rehabilitimi i linjës Durrës–Rrogozhinë me afro 123 milionë euro, elektrifikimi i linjës Tiranë–Durrës dhe lidhja me Aeroportin e Rinasit me 27.5 milionë euro, elektrifikimi i linjës Vorë–Hani i Hotit me rreth 60 milionë euro dhe rehabilitimi i hekurudhës Vorë–Hani i Hotit me një vlerë prej 313 milionë euro.

 

Përveç infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, projekte prioritare janë identifikuar edhe në sektorët e energjisë, mjedisit, shëndetësisë, arsimit, zhvillimit ekonomik dhe rajonal, si edhe në fushën e drejtësisë.

 

Digjitalizimi dhe projekte të reja strategjike

Një ndër projektet me impakt të konsiderueshëm lidhet me digjitalizimin e shërbimeve vendore të qeverisjes lokale dhe krijimin e një sistemi elektronik të prokurimit të mbështetur nga inteligjenca artificiale, me një vlerë totale prej 77 milionë euro. Ky projekt synon përmirësimin e transparencës, eficiencës dhe cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

 

Sipas dokumentit zyrtar, përveç 48 projekteve të maturuara, 36 projekte të tjera klasifikohen si pjesërisht të maturuara, ndërsa 36 projekte të tjera janë ende të pamaturuara, por konsiderohen me rëndësi strategjike për zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë të vendit.

 

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat