Secondary Adv

Barometri i Ballkanit 2025, çmimet e larta shqetësimi kryesor i shqiptarëve

Rritja e çmimeve mbetet problemi më i madh ekonomik për qytetarët shqiptarë, sipas Barometrit të Ballkanit 2025 të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.

Sipas anketës, 72 për qind e shqiptarëve e rendisin rritjen e çmimeve si shqetësimin kryesor, niveli më i lartë në rajon pas Kosovës, ku 77 për qind e qytetarëve ndajnë të njëjtin shqetësim. Në nivel rajonal, çmimet dhe inflacioni kryesojnë listën e problemeve për 66 për qind të të anketuarve, një rritje e lehtë krahasuar me vitin 2024.

 

Ekonomia dhe korrupsioni në fokus të shqetësimeve

Situata e përgjithshme ekonomike renditet si problemi i dytë më i përmendur në rajon me 44 për qind, ndërsa korrupsioni vijon të perceptohet si një sfidë serioze nga 35 për qind e qytetarëve. Edhe pse këto shqetësime shfaqin një rënie të lehtë krahasuar me vitet e mëparshme, ato mbeten strukturore për vendet e Ballkanit Perëndimor.

 

Bashkëpunimi rajonal dhe besimi te BE-ja

Barometri tregon se pothuajse gjysma e qytetarëve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i kushtojnë më shumë rëndësi asaj që i bashkon sesa asaj që i ndan, ndërsa vetëm 14 për qind fokusohen te përçarjet. Megjithatë, mosbesimi historik dhe politika nacionaliste vazhdojnë të shihen si pengesat kryesore për bashkëpunimin rajonal.

 

Mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Europian ka shënuar rritje të fortë, duke arritur në 64 për qind në nivel rajonal. Shqipëria kryeson me 86 për qind mbështetje, e ndjekur nga Kosova me 78 për qind. Ky nivel përfaqëson shifrën më të lartë të mbështetjes për BE-në në një dekadë.

 

Pritje më optimiste për integrimin europian

Qytetarët janë bërë më optimistë për afatin e anëtarësimit, ku 26 për qind presin që integrimi të ndodhë deri në vitin 2030 dhe 25 për qind deri në vitin 2035. Ndërkohë, është ulur ndjeshëm numri i atyre që mendojnë se anëtarësimi do të ndodhë pas vitit 2040 ose nuk do të ndodhë kurrë.

 

Anëtarësimi në BE lidhet gjithnjë e më shumë me përfitime konkrete, veçanërisht prosperitetin ekonomik dhe lirinë e lëvizjes, të cilat renditen ndër pritjet kryesore të qytetarëve.

 

Digjitalizimi dhe perceptimet për institucionet

Në vitin 2025, përdorimi i shërbimeve digjitale është rritur ndjeshëm në rajon, veçanërisht blerjet dhe shërbimet bankare online. Përdorimi i inteligjencës artificiale është pothuajse trefishuar, duke reflektuar një transformim të shpejtë digjital.

 

Sa i përket besimit institucional, organizatat fetare, forcat e armatosura dhe Bashkimi Europian gëzojnë nivelet më të larta të besimit, ndërsa partitë politike, parlamentet dhe mediat sociale përballen me mosbesim të theksuar.

 

Të rinjtë dhe shqetësimet e tyre

Të rinjtë në rajon shfaqin një optimizëm të ripërtërirë për përfitimet e anëtarësimit në BE, duke e lidhur atë kryesisht me përmirësimin e ekonomisë. Megjithatë, edhe për ta, çmimet e larta, situata ekonomike dhe korrupsioni mbeten shqetësimet kryesore, krahas emigracionit dhe cilësisë së arsimit.

 

Burimi:Monitor


Më të lexuarat