Secondary Adv

Zhvillim i pabarabartë mes rajoneve ekonomike në Shqipëri, dominon qendra

Ekonomia shqiptare po ndahet në tre rajone, të cilat nuk kanë ritme të barabarta zhvillimi.

Referuar një analize të bërë nga  ALTAX, rritja kombëtare prej 3.8% në vit ka fshehur një ndarje të qartë gjeografike mes rajoneve, me një centralizim të fortë ekonomik në Rajonin Qendror dhe sidomos në Tiranë, e cila sot gjeneron 43.8% të PBB-së dhe 77% të të ardhurave tatimore të vendit.

 

Analiza mbështetet në të dhënat më të fundit të INSTAT-it dhe një seri historike 23-vjeçare, duke treguar se pabarazia territoriale është rritur në nivel rekord. Sipas studimit, Indeksi Gini për shpërndarjen e PBB-së rajonale ka arritur 0.42, ndërsa diferenca mes PBB-së për frymë në Tiranë dhe Kukës është rritur në raport 2.5 me 1.

 

Krahas kësaj, koeficienti i variacionit ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke konfirmuar se rajonet nuk po konvergojnë, por po largohen nga njëra-tjetra në mënyrë sistematike.

 

Sipas gjetjeve, Shqipëria funksionon sot si tre ekonomi të ndara: Qendra, me një strukturë moderne të dominuar nga shërbimet dhe ndërtimi; Veriu, i ndikueshëm nga hendek i thelluar demografik dhe industri të lehtë, i ekspozuar ndaj goditjeve klimatike dhe çmimeve globale; Jugu, me potencial të lartë turistik, por ende i bllokuar nga një bazë e madhe bujqësore tradicionale.

 

Ndikimi i migrimit është i dukshëm edhe në tregun e punës, me papunësi dyfish më të lartë në disa qarqe të Veriut dhe emigrim të konsiderueshëm të popullsisë aktive.

 

ALTAX thekson se politikat buxhetore të dekadës së fundit kanë forcuar ciklin e centralizimit, pasi mbi 60% e investimeve kapitale vazhdojnë të përqendrohen në Qendër. Kjo sjell një qark të mbyllur ku Tirana rritet më shpejt, tërheq më shumë biznese, popullsi dhe taksa, ndërsa Veriu dhe Jugu mbeten prapa me kapacitete të kufizuara zhvillimi.

 

Raporti paralajmëron se, nëse trendet vazhdojnë, deri në vitin 2030 pabarazia rajonale mund të arrijë nivelet më të larta në Evropë, me pasoja për qëndrueshmërinë sociale, emigrimin dhe kohezionin territorial të vendit.

 

Për ta përmbysur këtë tendencë, ALTAX propozon një sërë masash të qarta, të testuara në vende të tjera evropiane: krijimin e një fondi kombëtar barazimi, zona ekonomike speciale për rajonet më të varfra, investime të synuara në infrastrukturë, arsimin profesional dual sipas modelit gjerman dhe zhvillimin e turizmit të integruar në Jug përmes skemave publike-private.

 

ALTAX nënvizon se nëse trendi nuk kthehet, rritja e ardhshme e vendit rrezikon të mbetet e përqendruar dhe e brishtë, ndërsa me veprime të koordinuara Shqipëria mund të hyjë në një fazë zhvillimi më të qëndrueshëm dhe më rezistent në të gjithë territorin.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat