Secondary Adv

Rama: Ne fundvit shperblim 6,000 leke per pensionistet

Janë 643 mijë pensionistë në vend, të cilët do të marrin një shpërblim prej 6.000 lekësh në fundvit. Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat, bëri të ditur se kjo është shuma më e lartë e akorduar në këtë periudhë, thuajse e barabartë me shifrën e rritjes së pensioneve, vitin e ardhshëm.


Një tjetër kategori që do të përfitojë për herë të parë shpërblim këtë fundvit është edhe ajo e personave me aftësi të kufizuar dhe e familjeve me ndihmë ekonomike, që do të marrin 2,000 lekë.Ndërsa për familjet e përmbytura, fondi i vënë në dispozicion do të jetë nga 6.8 milionë lekë ose deri në 11,000 lekë për familje.Për 2,498 familje të përmbytura ndër vite në 8 qarqe dhe 18 bashki do të bëhet dhënia e dëmshpërblimit të plotë, përkatësisht për 594 familje në Tiranë, 513 në Fier, 508 në Elbasan, 498 familje në Durrës, ku përfshihen dhe familjet e përmbytura së fundi në zonën e Krujës, 92 familje në Berat, 120 në Lezhë, 175 në Vlorë dhe 7 familje në Korçë, saktësoi kryeministri.


“Nga ana tjetër, për 2498 familje të përmbytura në vite në 8 qarqe dhe 18 bashki, do të bëhet dhënia e dëmshpërblimit të plotë, përkatësisht për 594 familje në Tiranë, 513 familje në Fier, 508 familje në Elbasan, 408 familje në Durrës, këtu përfshihen dhe familjet në zonën e Krujës, 92 familje në Berat, 120 familje në Lezhë, 175 familje në Vlorë dhe 7 familje në Korçë, shuma që do të vihet në dispozicion sipas të gjitha akteve nga Ministria e Brendshme do të jetë nga 6.8 mln lekë të vjetra për familje deri në 110 mijë lekë, që do të thotë se ka një përshkallëzim sipas dëmeve të konstatuara dhe kërkesave të bëra nga bashkia. Dua të theksoj që çdo rast që nuk është i përfshirë në këtë listë, është një rast që nuk është në inventarin e Ministrisë së Brendshme për arsye të vonesave apo të mospërcaktimit sipas ligjit dhe kritereve të dëmshpërblimit nga ana e cilësdo njësi të pushtetit vendor.

 

Dhe së fundmi, duke pasur parasysh dhimbjen e jo pak fermerëve, të cilët janë prekur në ekonominë e tyre familjare, për shkak të një epidemie vdekjeprurëse të lopëve është vënë në dispozicion një fond prej 3 mln dollarësh dhe do të kompensojmë kokë për kokë çdo lopë të humbur nga veriu në jug. Të bëjmë zëvendësimin e krerëve, duke rritur cilësinë e tyre – kjo është një paketë solidariteti kuptimplotë, dua edhe një herë t’ju përcjell të gjithëve vetëdijen time të plotë se, pavarësisht se gjithçka po bëjmë përcakton përmbajtësisht progresin në rrugën e reformave, nuk është e mjaftë.

 

Nuk diskutohet që për çdo pensionist apo çift pensionistësh, ku secili dhe secila marrin 6,000 lekë në fund të vitit, nuk është pak krahasuar me kushtet dhe në raport me vitet e shkuara por patjetër nuk është dhe aq shumë sa ne të ndihemi të kënaqur me sapo bëjmë, ashtu sikundër nuk është pak po të kemi parasysh në asnjë vit e kusur vite nuk është bërë asgjë me familjet me ndihmë ekonomike që të jenë pjesë e kësaj pakete, por sigurisht nuk është aq shumë sa të jemi të kënaqur, po ndërkohë që shpie në një borxh moral duke i kthyer familjeve të përmbytura qindarkë për qindarkë financiarisht dëmin e shkaktuar dhe pa diskutim që është mjaftueshëm për të gjithë fermerët që në një kohë rekord të kenë zëvendësimin kokë për kokë për të gjitha lopët e humbura, duke thënë të gjitha këto jam absolutisht besimplotë duke pasur parasysh rritjen graduale të ekonomisë që përkthehet në rritje të të ardhurash se vitit që vjen do të jetë pa diskutim më i mirë dhe do të ketë lajme të mira për të gjitha ata që presin më shumë rezultate nga reforma të thella kurajoze që i kemi marrë më në fund.

 

Nuk mbaron këtu i gjithë ky proces, ndërkohë jemi duke studiuar dhe shumë shpejt do të bëjmë publik dhe rezultatin e përpjekjes për të vazhduar të shpërblejmë të gjithë ata të cilët pavarësisht vështirësive i janë bashkuar procesit historik të transformimit të sektorit energjetik, nga një sektor në prag falimenti në një sektor ku po shkruhet përditë një histori suksesi dhe siç kemi bërë disa herë në histori, të bëjmë dhe në festat e fundvitit një tjetër lehtësim të konsiderueshëm, pasi vërejmë me kënaqësi që sjellja e konsumatorit në raport me OSHEE është një përmirësim i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm dhe këta konsumatorë, që falë reformës, sistemi do të jetë i barabartë për të gjithë meritojnë edhe mirëkuptim përmes lehtësimit të detyrimeve, ndërkohë një paketë suplementare do të bëhet gati për të vazhduar procesin e transformimit të fshatit dhe ekonomisë bujqësore përmes rritjes së kapaciteteve kulluese dhe për të stimuluar ekonominë bujqësore me infrastrukturë rurale, në kuadër të rilindjes urbane që filloi me sheshet e qyteteve, por nuk është një program për fasadë apo makijazh siç janë kuturisur rëndom kritikët. Jemi në kushte mjaftueshmërisht pozitive për të qenë shumë të inkurajuar dhe besimplotë se progresi që ka nisur do të vazhdojë dhe do të intensifikohet.

 

Dhe e fundit fare, besoj që përpara mbylljes së vitit do të shpallim edhe programim më të madh të investimit në infrastrukturë, në arsim dhe shëndetësi, por për këtë të fundit le t’ia lejojmë momentit kur të bëjmë shpalljen dhe jam i bindur që përmes këtij programi të ri do të arrijmë objektivin e parashikimeve të rritjes ekonomike graduale, sepse do të bëjmë një injektim të konsiderueshëm financiar në programin e vendit”, tha kryeministri Rama.


Më të lexuarat