Secondary Adv

Salla të reja kimioterapie në Spitalin Onkologjik, në 2026 rimbursohen të gjitha barnat antitumorale

Ministria e Shëndetësisë njofton përmirësim të kushteve për pacientët onkologjikë dhe garantim të plotë të barnave antitumorale nga viti 2026.

Investim për trajtim më dinjitoz

Sallat e reja të kimioterapisë në Spitalin Onkologjik janë vënë në funksion si rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve, duke synuar përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të trajtimit për pacientët. Investimi rrit kapacitetet e shërbimit dhe krijon ambiente më të sigurta, më komode dhe më dinjitoze për ata që ndjekin terapi të vazhdueshme.

 

Onkologjia prioritet i qeverisë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, nga ambientet e reja të kimioterapisë, theksoi se përmirësimi i infrastrukturës është vetëm hapi i parë në një proces më të gjerë mbështetjeje për pacientët onkologjikë. Ajo nënvizoi se që nga dita e parë e marrjes së detyrës, shërbimi onkologjik ka qenë një prioritet, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që ka në jetën e mijëra familjeve.

 

“Çdo pacient që kalon këto korridore vjen me sfida dhe shpresë. Është detyra jonë të krijojmë kushte sa më të mira përgjatë këtij rrugëtimi të vështirë,” u shpreh ministrja Sala, duke vlerësuar gjithashtu punën e përditshme të mjekëve, infermierëve, farmacistëve dhe gjithë stafit shëndetësor.

 

Garanci për barnat antitumorale

Paralelisht me investimet në infrastrukturë, Ministria e Shëndetësisë po punon për garantimin e barnave onkologjike. Ministrja Sala bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2026, për herë të parë, është planifikuar rimbursimi i të gjitha barnave antitumorale për pacientët që trajtohen në Spitalin Onkologjik.

 

Ky vendim shoqërohet me rritje të fondit përkatës me 1.5 miliardë lekë, duke synuar të krijojë një mbështetje më të plotë dhe më të qëndrueshme për trajtimin e sëmundjeve tumorale dhe për lehtësimin e barrës financiare mbi pacientët dhe familjet e tyre.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat