Secondary Adv

BSH: Të ardhurat e ekonomisë nga fasoneria i janë kthyer rritjes këtë vit

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë përmirësim të ndjeshëm të të ardhurave nga fasoneria, pas vështirësive të viteve të fundit.

Rritje e të ardhurave në tremujorin e tretë

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga fasoneria i janë kthyer rritjes gjatë vitit 2025. Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë të këtij viti të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët arritën në 169 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Bilanci pozitiv për 9-mujorin

Për periudhën janar–shtator 2025, Banka Qendrore raporton të ardhura totale nga fasoneria në vlerën e 530 milionë eurove, me rritje vjetore 6.4%. Ky zhvillim sinjalizon një kthesë pozitive për sektorin, pas goditjeve të forta të viteve të fundit të lidhura me mbiçmimin e Lekut dhe rritjen e kostos së punës.

 

Efekti i kursit të këmbimit dhe eksporteve

Gjatë vitit 2025, rënia e Euros ndaj Lekut është ngadalësuar ndjeshëm, me zhvlerësim vjetor rreth 2%, duke lehtësuar presionin mbi industritë eksportuese. Paralelisht, të dhënat e INSTAT tregojnë përmirësim të eksporteve në grupmallrat ku përqendrohet fasoneria, edhe pse ende jo plotësisht në territor pozitiv.

 

Eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” për 10-mujorin 2025 ranë vetëm 1% krahasuar me një vit më parë, një përmirësim i ndjeshëm nga rënia 21% e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” shënoi rritje vjetore 5.7%, pas një rënieje 5.4% një vit më parë.

 

Roli i fasonerisë në ekonomi

Statistikat e INSTAT pasqyrojnë vlerën totale të produkteve të eksportuara ose rieksportuara, ndërsa Bilanci i Pagesave i Bankës së Shqipërisë mat vlerën e shtuar të procesit të përpunimit. Fasoneria mbetet e përqendruar kryesisht në sektorë me kosto pune relativisht të ulët dhe vlerë të shtuar të kufizuar, si tekstilet, këpucët dhe, gjithnjë e më shumë vitet e fundit, industria automotive.

 

Për 9-mujorin 2025, të ardhurat nga fasoneria kontribuuan me rreth 15% të suficitit neto të ekonomisë shqiptare në bilancin e tregtisë së shërbimeve, duke konfirmuar rolin e këtij sektori si një nga shtyllat kryesore të ekuilibrit të jashtëm të vendit.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat