Secondary Adv

Transformim urban në Radhimë, investim mbi 102 mln lekë për rrugë dhe hapësira publike

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur garën për rigjenerimin urban të fshatit Radhimë, me fokus infrastrukturën, hapësirat publike dhe pika panoramike për banorët dhe turistët.

Rrjet i ri lëvizjeje dhe hapësira publike

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur procedurën për transformimin urban të hapësirave publike kryesore në fshatin Radhimë, në qarkun e Vlorës. Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i projektit arrin në 102 milionë e 382 mijë lekë.

 

Ndërhyrja parashikon krijimin e një rrjeti funksional lëvizjeje këmbësore dhe automobilistike, përmes rehabilitimit të rrugës kryesore dhe rrugicave të brendshme të fshatit. Projekti synon përmirësimin e cilësisë së hapësirës publike me ndërtimin e trotuareve, ndriçim të ri rrugor dhe shtim të gjelbërimit.

 

Viewpoint-e panoramike dhe rigjenerim estetik

Një element i rëndësishëm i projektit është rikualifikimi i tre viewpoint-eve panoramike kryesore, të cilat do të shndërrohen në pika pushimi, ndalese, parkimi, shëtitjeje dhe vëzhgimi. Këto hapësira synojnë të shërbejnë si atraksione për komunitetin lokal dhe për turistët që frekuentojnë zonën bregdetare.

 

Paralelisht, projekti përfshin ndërhyrje në rrugicat e fshatit, restaurimin e objekteve dhe mureve rrethues, si dhe përmirësimin e elementeve urbane për të ruajtur karakterin tradicional të Radhimës, duke e integruar atë me elemente bashkëkohore të peizazhit dhe ndriçimit.

 

Synimet e projektit

Referuar dokumentit teknik, problematikat kryesore që adresohen janë mungesa e trotuareve funksionale dhe shesheve publike, ndriçimi i pamjaftueshëm, muret mbajtëse të dëmtuara, hapësirat e pashfrytëzuara për qëndrim dhe mungesa e elementeve urbane si stola, kosha, kangjella dhe sinjalistikë.

 

Projekti është konceptuar si pjesë e një vizioni më të gjerë për transformimin gradual të qendrave rurale bregdetare, me synim rritjen e atraktivitetit turistik, përmirësimin e cilësisë vizuale dhe forcimin e identitetit lokal të fshatit Radhimë, si pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm të bregdetit të Vlorës.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat