Secondary Adv

Programi i prioriteve me 120 projekte, nga hekurudha Rrogozhinë-Vlorë te TEC-et, lista

Qeveria ka rishikuar programin e projekteve prioritare për periudhën 2026–2028, duke ulur numrin e investimeve madhore nga 134 në 120 projekte që prekin pothuajse të gjitha fushat e ekonomisë.

Dokumenti i ri, i publikuar si pjesë e politikave prioritare të qeverisë, parashikon 48 projekte të maturuara ku ka nisur zbatimi, 36 projekte që janë pjesërisht të zhvilluara dhe 36 të tjera që mbeten ende të pamaturuara, pra në fazë ideje ose koncepti fillestar. Lista e re reflekton ndryshime të rëndësishme si në përbërje, ashtu edhe në statusin e disa projekteve strategjike.

 

Hekurudha Rrogozhinë–Vlorë, projekt i ri në listë

Për herë të parë në programin e prioriteteve është përfshirë rehabilitimi i linjës hekurudhore Rrogozhinë–Vlorë, së bashku me lidhjen e re me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Projekti, i konsideruar aktualisht i pamaturuar, ka një kosto të vlerësuar prej rreth 220 milionë euro. Në dhjetor të vitit të kaluar u hap tenderi për studimin dhe hartimin e projektit, ndërsa rehabilitimi parashikon rikonstruksionin e 84 kilometrave linjë ekzistuese, elektrifikimin e saj dhe rritjen e shpejtësisë deri në 120 km në orë.

 

Projektet kryesore në zbatim

Në grupin e projekteve të maturuara dhe në zbatim përfshihen disa nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend, si porti i Durrësit me vlerë rreth 390 milionë euro, ndërtimi i Korridorit VIII me 360 milionë euro, si dhe zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës me afro 298.8 milionë euro. Në sektorin hekurudhor, projektet më të kushtueshme të konsideruara të maturuara janë rehabilitimi i hekurudhës Vorë–Hani i Hotit me 313.1 milionë euro, linja Durrës–Rrogozhinë me 122.9 milionë euro, si dhe projekti i linjës dhe elektrifikimit Tiranë–Durrës.

 

Projektet pjesërisht të maturuara

Në kategorinë e projekteve pjesërisht të maturuara renditen investime të rëndësishme strategjike, si aeroporti i Jugut, hekurudha Durrës–Prishtinë, hidrocentrali i Skavicës dhe baza autonome detare e Porto-Romanos. Këto projekte kanë avancuar në disa faza përgatitore, por ende nuk kanë hyrë plotësisht në fazën e zbatimit.

 

Ndryshime dhe projekte të hequra nga lista

Një ndryshim i rëndësishëm në dokument është rishikimi i statusit të projektit për vënien në punë të Termocentralit të Vlorës. Nga projekt pjesërisht i maturuar, ai është riklasifikuar si i pamaturuar, megjithëse kostoja e parashikuar për ta bërë funksional mbetet 250 milionë euro.

 

Ndërkohë, nga lista e re janë hequr disa projekte që ishin përfshirë në versionin e mëparshëm, mes tyre ndërtimi i urës ndërshtetërore mbi lumin Buna/Bojana me kosto 14 milionë euro, si dhe projekte të tjera institucionale dhe infrastrukturore, përfshirë godinat e reja të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit Tiranë, si edhe projekti për rrjetin e transmetimit të gazit në Fier dhe Ballsh.

 

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat