Secondary Adv

Çmimi i energjisë për prodhuesit me përparësi për vitin 2026 mbetet 10 lekë/kWh

Prodhuesit ekzistues me përparësi do të shesin energjinë me 10 lekë/kWh edhe vitin e ardhshëm.

Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike, konkretisht hidrocentralet me kapacitet të instaluar deri në 15 MW, do të vijojnë të shesin energjinë tek Furnizuesi i Tregut të Lirë me çmimin 10 lekë/kWh edhe gjatë vitit 2026. Vendimi është miratuar këtë javë nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili sqaron se ky çmim përcaktohet nga metodologjia në fuqi, por kufizohet nga tavani maksimal i vendosur me vendim qeverie në vitin 2023.

 

Referencat e tregut të energjisë

Sipas ERE, të dhënat paraprake nga Bursa Hungareze e Energjisë tregojnë se çmimi mesatar për tregun e ditës në avancë për periudhën 10-mujore të vitit 2025 është 106.55 euro/MWh, çka sipas formulës përkatëse do të përkthehej në 12.53 lekë/kWh. Ndërkohë, referuar bursës shqiptare të energjisë ALPEX, çmimi mesatar për të njëjtën periudhë rezulton 118.93 euro/MWh, që do të sillte një çmim vjetor blerjeje prej 13.99 lekë/kWh.

 

Aplikimi i tavanit ligjor

ERE thekson se të dyja vlerat e llogaritura janë mbi nivelin maksimal prej 10 lekë/kWh pa TVSH, të përcaktuar në VKM-në nr. 687, datë 22.11.2017, e ndryshuar me VKM-në nr. 67, datë 08.02.2023. Për rrjedhojë, në zbatim të ligjit nr. 24/2023 dhe metodologjisë përkatëse, çmimi i blerjes së energjisë elektrike për prodhuesit ekzistues me përparësi për vitin 2026 është fiksuar në nivelin maksimal të lejuar prej 10 lekë/kWh pa TVSH.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat