Secondary Adv

Autoriteti i Konkurrencës gjobit gjashtë grumbullues fruta-perimesh, abuzuan me çmimet

Autoriteti i Konkurrencës ka ndëshkuar gjashtë ndërmarrje grumbulluese të fruta–perimeve për sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve, duke konstatuar abuzime serioze në dëm të fermerëve.

Vendimi pas një hetimi gati dyvjeçar

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se vendimi është marrë pas përfundimit të një procedure të thelluar hetimore, e cila zgjati rreth dy vite dhe përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë. Në mbledhjen e datës 26 nëntor, Komisioni i Konkurrencës konstatoi shkelje të rënda në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve.

 

Ndërmarrjet e gjobitura dhe shkeljet e konstatuara

Sipas vendimit, ndërmarrjet Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi Person Fizik, Besim Thaqi Person Fizik, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave sezonale, duke diktuar çmime në dëm të fermerëve. Hetimi tregoi se këto subjekte kanë aplikuar shtesa mbi kosto (mark-up) deri në 115 për qind, duke kufizuar konkurrencën dhe duke dëmtuar zinxhirin e tregtimit.

 

Shkelje e rëndë e ligjit të konkurrencës

Autoriteti sqaroi se kjo sjellje përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe është cilësuar si shkelje e rëndë. Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur gjoba deri në 0.15 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës për secilën nga ndërmarrjet e përfshira.

 

Fermerët përballë presionit dhe çmimeve të diktuara

Hetimi i thelluar evidentoi se disa grumbullues, falë fuqisë së lartë negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët përballeshin me çmime të koordinuara, mungesë reale negociimi, varësi të tepruar nga pak blerës, presione për uljen e çmimeve dhe shlyerje të vonuara të pagesave.

 

Efekti në treg dhe masat shoqëruese

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, vendimi forcon pozitat e fermerëve në treg, krijon kushte për çmime më të drejta dhe transparente, nxit konkurrencën e ndershme mes grumbulluesve dhe frenon skemat e koordinuara që dëmtonin tregun kombëtar. Edhe pse gjobiten gjashtë ndërmarrje, efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun e fruta–perimeve.

 

Detyrime shtesë dhe monitorim njëvjeçar

Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë dhe ka vendosur që ato të jenë subjekt monitorimi për një periudhë njëvjeçare, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e shkeljeve të tjera.

 

Rekomandime për qeverinë dhe sektorin bujqësor

Njëkohësisht, Autoriteti i Konkurrencës ka adresuar rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke kërkuar minimizimin e informalitetit në zinxhirin e tregtimit, hartimin e një baze të re ligjore sipas standardeve të BE-së, krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve, vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara, si dhe transpozimin e Direktivës së BE-së për praktikat tregtare të padrejta.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat