Secondary Adv

2025, popullsia e Shqipërisë ra me ritmet më të larta në rajon

Eurostat: Shqipëria humbi mbi 27 mijë banorë në një vit, tkurrja më e fortë mes vendeve kandidate.

Popullsia e Shqipërisë po tkurret me ritme shumë më të larta, gati dy deri tre herë më shumë se në vendet e tjera të rajonit, sipas të dhënave të përditësuara të Eurostat për popullsinë e vendeve kandidate. Në vitin 2025, popullsia zyrtare e Shqipërisë ishte 2,363,314 banorë, me një tkurrje prej rreth 27,628 personash brenda një viti, ndërsa në terma relativë rënia arriti në –1.2 për qind, norma më e lartë në rajon.

 

Krahasimi me vendet e Ballkanit Perëndimor

Sipas të dhënave të Eurostat, rënia e popullsisë në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte –0.3 për qind, në Maqedoninë e Veriut –0.2 për qind, në Serbi –0.6 për qind dhe në Mal të Zi –0.1 për qind. Në katër vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor, popullsia ra mesatarisht me 0.3 për qind, ndërsa në Shqipëri rënia ishte gati katër herë më e lartë, rreth 1.1 për qind.

 

Arsyet kryesore të tkurrjes demografike

Kjo diferencë tregon se fenomenet demografike, veçanërisht emigracioni i vazhdueshëm dhe ulja e lindshmërisë, po ndikojnë Shqipërinë më fort sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor me status kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në vitet e fundit, rënia e popullsisë është përshpejtuar për shkak të tkurrjes së numrit të të rinjve, çka po ul me shpejtësi lindjet nga viti në vit.

 

Emigracioni i të rinjve dhe tregu i punës

Tkurrja e fortë në grup-moshën deri në 30 vjeç vjen kryesisht si pasojë e emigracionit të lartë, i cili vijon të jetë ndër më të lartët në Europë. Shqiptarët, veçanërisht të rinjtë dhe profesionistët, largohen për paga më të larta, kushte më të mira pune dhe mundësi më të qëndrueshme karriere në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo tendencë është forcuar pas liberalizimit të tregut europian të punës dhe skemave të reja të rekrutimit nga vende si Gjermania, të cilat kanë kërkesa të larta për fuqi punëtore.

 

Lindshmëria dhe perspektiva demografike

Të dhënat e brendshme tregojnë se popullsia e moshës 15–29 vjeç, e cila përfaqëson grupin më aktiv në emigrim, është tkurrur me 45 për qind ndërmjet viteve 2011 dhe 2025. Shqipëria ka gjithashtu nivelin më të ulët të lindjeve në historinë e saj të tranzicionit, me një normë fertiliteti rreth 1.2 fëmijë për grua në moshë lindjeje, shumë poshtë nivelit të zëvendësimit dhe ndër më të ulëtat në Europë. Shumë çifte të reja shtyjnë krijimin e familjes për shkak të pasigurisë ekonomike, kostove të larta të rritjes së fëmijëve dhe emigrimit të partnerëve.

 

Parashikimet për dekadën e ardhshme

Në dekadën në vijim, numri i vdekjeve pritet të jetë më i lartë se ai i lindjeve, duke krijuar një deficit natyror që pritet të thellohet nëse nuk merren masa frenuese për përballimin e krizës demografike.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat