Banka e Shqipërisë do të rrisë blerjet e planifikuara të valutës në 450 mln euro për 2025
Banka e Shqipërisë planifikon të blejë deri në 450 milionë euro për të forcuar rezervën valutore dhe frenuar forcimin e Lekut.

Banka e Shqipërisë do të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm për vitin 2026. Sipas informacioneve nga Banka Qendrore, ajo synon të blejë përmes ankandeve një shumë që varion nga 330 deri në 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Ky objektiv është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet për vitin 2025, të cilat parashikonin blerje në intervalin 270–350 milionë euro.
Kalendar i zgjeruar ankandesh për vitin 2026
Gjatë vitit 2026 janë programuar gjithsej 26 ankande për blerje valute, të cilat do të zhvillohen nga muaji shkurt deri në dhjetor. Prej tyre, 9 ankande do të jenë për blerje në të ardhmen, konkretisht forward njëmujore dhe tremujore, ndërsa 17 ankande do të jenë me blerje në datën përkatëse, të njohura si spot.
Përqendrim i blerjeve në sezonin veror
Edhe për vitin 2026, përqendrimi më i lartë i blerjeve parashikohet në sezonin veror, kur oferta valutore në treg është më e madhe. Sipas kalendarit të publikuar, në periudhën mes muajve qershor dhe gusht do të zhvillohen gjithsej 12 ankande për blerje valute.
Kufijtë e blerjeve dhe fleksibiliteti i rregullores
Shuma maksimale e planifikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandeve do të jetë 10–12 milionë euro, në varësi të ankandit konkret. Megjithatë, rregulloret në fuqi i lejojnë Bankës së Shqipërisë të kryejë edhe blerje në një raund të dytë, duke përdorur kursin mesatar të blerjeve të realizuara në raundin e parë.
Këto shuma nuk përfshijnë blerjet e mundshme që mund tëkryhen për qëllime të ndërhyrjes direkte në tregun valutor, në funksion të stabilizimit të tregut apo realizimit të objektivave të politikës monetare.
Blerjet rekord në vitet e fundit
Sipas informacionit të publikuar deri tani, për 9-mujorin e vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 800 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Në pjesën më të madhe, këto kanë qenë blerje jashtë kalendarit të ankandeve, të kryera përmes operacioneve të drejtpërdrejta, me synim shmangien e forcimit të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit.
Ndërkohë, sipas shifrave finale zyrtare, për vitin 2024 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 933 milionë euro në tregun valutor, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
Arsyet e ndërhyrjes në tregun valutor
Blerjet gjithnjë e më të mëdha të valutës nga Banka e Shqipërisë lidhen me tendencën e vazhdueshme rënëse të kursit Euro-Lek. Oferta e lartë valutore ka bërë që kursi i monedhës europiane gjatë këtij viti të arrijë nivele të reja minimale historike, poshtë kufirit të 96.5 lekëve. Megjithatë, zhvlerësimi vjetor i Euros ka rënë poshtë nivelit të 2%, duke u frenuar ndjeshëm krahasuar me tre vitet e mëparshme.
Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ka qenë thelbësore në ngadalësimin e rënies së Euros, e cila në të kundërt do të kishte prekur nivele edhe më të ulëta. Këto ndërhyrje janë argumentuar në funksion të objektivit të inflacionit, pasi në kushtet kur inflacioni i ulët lidhet kryesisht me komponentin e importuar, blerja e Euros synon të mos lejojë forcimin e mëtejshëm të Lekut, i cili do të ushtronte presione shtesë rënëse mbi inflacionin.
Burimi: Monitor.al
Më të lexuarat






