3-mujori i tretë, të punësuarit me sigurime zgjerohen me 22 mijë në një vit
Të punësuarit kontribuues u zgjeruan me mbi 22 mijë në tremujorin e tretë, të nxitur kryesisht nga sektori privat.
Numri i të punësuarve me kontribute vijon të rritet, pavarësisht se matjet nga Anketa e Forcave të Punës tregojnë rënie të punësuarve. Sipas burimit të të dhënave administrative mbi punësimin, që përfshin personat që paguajnë sigurime shoqërore, numri i të punësuarve arriti në 771,332 persona në tremujorin e tretë të këtij viti, me një zgjerim prej mbi 22 mijë personash ose rreth 3 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sektori shtetëror dhe administrata publike
Në sektorin shtetëror, numri i të punësuarve kontribuues arriti në 183,841 persona në tremujorin e tretë 2025, me rreth 3,400 persona më shumë në bazë vjetore, ose rritje prej 1.9 për qind. Punësimi në administratën publike dhe institucionet shtetërore ka shënuar rritje të qëndrueshme nga viti në vit, duke kulmuar në tremujorin e parë të vitit me mbi 185 mijë persona, kryesisht për shkak të zgjedhjeve lokale.
Zgjerimi i sektorit privat
Sektori privat ka regjistruar një zgjerim më të ndjeshëm të punësimit. Në tremujorin e tretë 2025, numri i të punësuarve kontribuues në sektorin privat arriti në 587,491 persona, nga 568,832 persona në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 18,700 të punësuarish, ose mbi 3 për qind në bazë vjetore. Në tërësi, krahasimi vjetor tregon se rritja e punësimit me pagë në tremujorin e tretë 2025 është mbështetur kryesisht nga sektori privat, i cili ka peshën më të madhe në punësim dhe ritmin më të shpejtë të zgjerimit.
Dy burimet e matjes së punësimit
INSTAT publikon dy tregues kryesorë për ecurinë e punësimit. I pari është Anketa e Forcave të Punës, e cila shërben si referencë zyrtare dhe realizohet përmes një vrojtimi statistikor pranë familjeve, ku intervistohen individë 15 vjeç e lart dhe konsiderohen të punësuar ata që kanë punuar qoftë edhe një orë kundrejt page ose përfitimi gjatë javës së referencës. Treguesi i dytë janë të dhënat administrative, të cilat matin numrin e të punësuarve që derdhin sigurime shoqërore dhe mblidhen nga Drejtoria e Tatimeve.
Diferencat mes anketës dhe të dhënave administrative
Sipas Anketës së Forcave të Punës, punësimi u tkurr me gati 20 mijë persona në popullsinë 15–64 vjeç ndërmjet tremujorit të tretë 2024 dhe atij 2025. Ndërkohë, të punësuarit me pagë që paguajnë sigurime u zgjeruan me rreth 22 mijë persona në të njëjtën periudhë. Të dhënat nga anketa reflektojnë më shumë rënien e fortë të popullsisë nga viti në vit sesa ndryshime në punësimin real.
Sigurimet shoqërore dhe informaliteti
Sipas dy burimeve kryesore të të dhënave zyrtare, nga numri i personave në moshë pune që raportohen si të punësuar, vetëm 73 për qind e tyre paguajnë sigurime shoqërore. Ky hendek po ngushtohet si pasojë e rënies së popullsisë, ndërsa para pandemisë pak më shumë se 50 për qind e të punësuarve paguanin sigurime.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






