Në fund të janarit Kosova pa masa, përfiton 205 mln euro nga BE
BE pritet të heqë të gjitha masat ndaj Kosovës dhe të zhbllokojë qindra milionë euro ndihmë financiare.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se pas heqjes së pjesshme të masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit të ardhshëm. Bashkimi Europian ka vendosur t’i heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke ia mundësuar vendit të përfitojë miliona euro ndihmë financiare qysh në fillim të vitit 2026.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Bashkimi Europian do t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Të mërkurën në mbrëmje, pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel, Osmani tha se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.
Konfirmimi nga Komisioni Europian
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe hiqet sot, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë dhe pjesa tjetër në fund të janarit”, ka thënë Osmani.
Të martën, Bashkimi Europian hoqi një pjesë të masave ndëshkuese të vendosura në vitin 2023. Sipas një letre nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte, si pasojë e asaj që është vlerësuar si “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit.
Fondet që pritet të zhbllokohen
Ndërkohë, Ursula von der Leyen e ka cilësuar vendimin për heqjen e pjesshme të masave si një lajm të mirë, duke konfirmuar se procesi do të vazhdojë deri në heqjen e plotë të tyre. “Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. Po programojmë 216 milionë euro ndihmë financiare dhe kemi ndërmend të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
Reagimet politike në Kosovë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka përshëndetur fillimin e heqjes së masave të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një vendim të drejtë. “Fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë. Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie”, ka deklaruar Hamza, duke falënderuar partnerët evropianë dhe duke kërkuar një fazë të re në raportet me BE-në.
Kostoja e masave ndëshkuese
Bashkimi Europian kishte hequr më herët rreth gjysmën e masave, ndërsa mbetej e paqartë nëse ato do të hiqeshin plotësisht, për shkak të rezervave të disa vendeve anëtare. Zyrtarët në Kosovë kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e masave, duke argumentuar se situata në veri ishte shtensionuar pas zvogëlimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e sivjetshme dhe transferimit paqësor të pushtetit lokal.
Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, masat ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht për shkak të kalimit të afateve. Sektorët më të prekur kanë qenë mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e fondeve lidhej me programet IPA II, IPA III dhe Kornizën për Investime të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






