Secondary Adv

Rehabilitimi i zonave minerare kërkon 100 mln euro, rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik

Qeveria pranon se zonat minerare të braktisura paraqesin rrezik serioz dhe kërkojnë investime të mëdha për rehabilitim.

Një sërë zonash minerare të shfrytëzuara ndër vite dhe tashmë jashtë aktivitetit, të vendosura në rajone të ndryshme të vendit, duhet të rehabilitohen për të rritur sigurinë e mjedisit dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Qeveria e pranon këtë problematikë në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Sektorit Minerar 2026–2040, ku identifikohen disa sfida madhore me të cilat përballet sektori, përfshirë rehabilitimin e zonave ku aktiviteti minerar ka qenë dikur intensiv.

 

Trashëgimia e ndotjes nga aktiviteti minerar

“Trashëgimia historike e veprimtarive minerare, e akumuluar për dekada pa standarde bashkëkohore teknike dhe mjedisore, ka lënë pas një gjurmë të thellë ndotjeje, veçanërisht në zonat e Bulqizës, Rubikut, Kukësit, Korçës, Rehovës, Pogradecit, Hasit, Ersekës, Munellës, Mamëzit, Mëzezit, Memaliajt, Kurbneshit, etj., ku depozitimet e mbetjeve minerare, dambat, sterilet dhe drenimi i ujërave acide të ndotura me metale të rënda vazhdojnë të përbëjnë rrezik për tokën, ujërat nëntokësore dhe shëndetin publik”, thuhet në dokumentin e nxjerrë për konsultim.

 

Kosto e lartë rehabilitimi

Duke iu referuar një studimi të Bankës Botërore, qeveria pranon se kostoja e rehabilitimit të këtyre rajoneve mund të arrijë në rreth 100 milionë euro. “Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, duke marrë në konsideratë edhe faktin që procesi i mbylljes së minierave joefektive nuk është realizuar konform praktikës evropiane, kostoja e rehabilitimit dhe rikuperimit të plotë të këtyre zonave tejkalon 100 milionë euro, çka e bën këtë ndërhyrje një prioritet strategjik kombëtar për periudhën 2026–2040”, nënvizohet në strategji.

 

Në dokument theksohet gjithashtu se ky proces përbën një komponent kyç të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe të Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe Rritjen e Qëndrueshme 2023–2030.

 

Mangësi ligjore dhe rrezik për komunitetet

Strategjia vë theksin edhe te nevoja për përmirësime ligjore dhe forcim të përpjekjeve institucionale, duke pranuar se zbatimi i Direktivës 2006/21/KE për menaxhimin e mbetjeve të industrive nxjerrëse mbetet i pjesshëm. Sipas dokumentit, shumë impiante përpunimi dhe depozitime historike minerare vazhdojnë të operojnë me sisteme të pamjaftueshme sigurie, pa monitorim të rregullt, pa sisteme paralajmërimi të hershëm dhe pa plane emergjencash të certifikuara në rast përmbytjesh ose kolapsesh strukturore.

 

Kjo situatë përbën një rrezik të vazhdueshëm jo vetëm për mjedisin, por edhe për komunitetet që jetojnë në afërsi të këtyre zonave industriale, duke e bërë rehabilitimin e tyre një domosdoshmëri urgjente për vitet në vijim.

Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat