Trump shpall vendimin: Pezullohet pa afat Lotaria Amerikane
Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur pezullimin pa afat të programit të lotarisë së Kartës së Gjelbër.

Vendimi pas sulmit në Universitetin Brown
Pezullimi i programit të njohur si Diversity Visa (DV1) u konfirmua nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila deklaroi se vendimi është marrë me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit Trump. Sipas saj, qëllimi është që “asnjë amerikan të mos dëmtohet më nga ky program katastrofik”, pas të shtënave masive të ndodhura javën e kaluar në Universitetin Brown.
Profili i të dyshuarit dhe lidhja me programin DV
I dyshuari kryesor për sulmin, 48-vjeçari portugez Claudio Neves Valente, u gjet i vdekur në një depo në Salem, New Hampshire. Autoritetet bëjnë me dije se ai kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2017 përmes lotarisë së vizave të diversitetit dhe ishte pajisur me Kartë Jeshile. Sipas hetimeve paraprake, ai i ka dhënë fund jetës me armë zjarri.
Dyshime për një vrasje të dytë
Zyrtarët amerikanë dyshojnë se Neves Valente është gjithashtu përgjegjës për vrasjen e profesorit të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua për vdekje në banesën e tij në Brookline, dy ditë para sulmit në Universitetin Brown. Dy burrat kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve 1990.
Detaje nga hetimet
Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Rhode Island, Peter Neronha, prova të gjetura në një automjet pranë vendit ku u gjet i dyshuari përputhen me vendngjarjen e të shtënave në Universitetin Brown. Policia arriti ta identifikojë dhe lokalizojë Neves Valente pas një kërkimi gjashtëditor në disa shtete, duke përdorur pamje nga kamerat e sigurisë dhe informacione nga publiku.
Reagimi i Universitetit Brown
Presidentja e Universitetit Brown, Christina Paxson, deklaroi se Neves Valente kishte qenë student në këtë universitet nga vjeshta e vitit 2000 deri në pranverën e vitit pasardhës, ku ndiqte studime doktorale në fizikë, por nuk kishte asnjë lidhje aktuale apo aktive me institucionin.
Bilanci tragjik i sulmit
Sulmi ndodhi më 13 dhjetor, kur një person i armatosur hyri në ndërtesën e inxhinierisë gjatë provimeve përfundimtare dhe hapi zjarr. Dy studentë humbën jetën, Ella Cook, 19 vjeçe nga Alabama, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç, një uzbeko-amerikan që kishte nisur së fundmi studimet. Nëntë studentë të tjerë mbetën të plagosur.
Çfarë është lotaria e Kartës së Gjelbër
Programi i lotarisë së Kartës së Gjelbër u jep çdo vit deri në 50 mijë viza emigrimi shtetasve nga vende me nivele të ulëta emigracioni drejt SHBA-së, përmes një përzgjedhjeje të rastësishme. Presidenti Trump ka qenë prej kohësh kritik ndaj kësaj skeme dhe ka tentuar më parë ta shfuqizojë, duke e lidhur me rreziqe sigurie dhe sulme të mëparshme, përfshirë atentatin me kamion në New York në vitin 2017.
Ndikimi për Shqipërinë
Pezullimi i programit prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë, pasi çdo vit mijëra qytetarë shqiptarë aplikojnë në lotarinë amerikane, duke e konsideruar atë si një nga rrugët kryesore drejt emigrimit dhe realizimit të “ëndrrës amerikane”.
Burimi: Ballkan Web
Më të lexuarat






