Secondary Adv

Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për tregun e transportit detar të udhëtarëve

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak për tregun e transportit detar ndërkombëtar të udhëtarëve në portet e Durrësit dhe Vlorës, pas dyshimeve për mungesë konkurrence dhe sjellje të koordinuara në çmime.

Ankesa dhe nisja e monitorimit

Hetimi vjen pas një ankese të depozituar në qershor të këtij viti, ku pretendohet se në portin e Vlorës nga tre tragete që kanë operuar më parë, aktualisht ka mbetur vetëm një operator, i cili dyshohet se aplikon çmime abuzive ndaj udhëtarëve. Pas kësaj ankese, Autoriteti i Konkurrencës nisi monitorimin e tregut të transportit detar ndërkombëtar të udhëtarëve në portet e Durrësit dhe Vlorës.

 

Rezultatet e monitorimit në linjat kryesore

Sipas monitorimit, në linjën Durrës–Ankona–Durrës operon vetëm kompania Adria Ferries SHPK, e cila zotëron 100 për qind të tregut për këtë linjë dhe nuk përballet me konkurrencë të drejtpërdrejtë. Një situatë e ngjashme konstatohet edhe në linjën Vlorë–Brindisi–Vlorë, ku operon vetëm një operator me një traget, duke krijuar një treg tërësisht të përqendruar.

 

Dyshime për koordinim çmimesh

Në linjën Durrës–Bari–Durrës, Autoriteti ka vërejtur se operatorët aplikojnë tarifa shumë pranë çmimit tavan gjatë sezonit të lartë, me diferenca të vogla mes tyre. Po ashtu, ritmi i rritjes dhe uljes së çmimeve nga operatorët rezulton të jetë i njëjtë dhe i sinkronizuar në kohë, çka ngre dyshime për sjellje të koordinuara.

 

Dyshimi për shkelje të konkurrencës

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, përqendrimi i lartë i tregut në linjat Durrës–Ankona dhe Vlorë–Brindisi, si dhe sjellja e operatorëve në linjën Durrës–Bari, mund të përbëjnë pengim, kufizim ose shtrembërim të konkurrencës. Konkretisht, sjellja e operatorëve Adria Ferries, Duni SHPK përfaqësues i Ventouris Ferries dhe Ionian Island SHPK përfaqësues i European Seaways, të cilët tregtojnë bileta me çmime thuajse të njëjta dhe pranë tavanit të miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, mund të konsiderohet si sjellje e koordinuar.

 

Periudha e hetimit

Hetimi paraprak do të mbulojë periudhën nga 1 janar 2022 deri më 30 qershor 2025 dhe synon të vlerësojë nëse janë shkelur nenet 4 dhe 9 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2013 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat