Oda Amerikane kundërshton kontrollin administrative të çmimeve të derivateve në Kosovë
Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendos masa mbrojtëse për çmimet e derivateve duke kufizuar marzhat e fitimit. Por, me këtë vendim nuk është pajtuar Oda Ekonomike Amerikane.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh kundërshtimin e saj të fuqishëm lidhur me vendimin e fundit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për vendosjen e masave administrative që përcaktojnë marzha maksimale tregtare për produktet e naftës.
Sipas një njoftimi për media thuhet se Oda Amerikane rikujton se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, duke e kufizuar ndërhyrjen e shtetit në përcaktimin e çmimeve vetëm në rrethana rreptësisht të përcaktuara dhe përjashtimore. Çmimet e karburanteve nuk janë çmime të rregulluara sipas kornizës ligjore të Kosovës dhe përcaktimi i tyre përmes akteve administrative përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një treg përndryshe të lirë.
“Një ndërhyrje e tillë cenon parimet themelore kushtetuese të lirive ekonomike, sigurisë juridike dhe konkurrencës së lirë, si dhe krijon një precedent shqetësues për përfshirje diskrecionale të shtetit në tregjet ku çmimet duhet të përcaktohen nga oferta dhe kërkesa”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, përveç shqetësimeve kushtetuese, Oda Amerikane thekson se ky vendim është miratuar nga një qeveri në detyrë, mandati i së cilës është ligjërisht dhe institucionalisht i kufizuar. Qeveritë në detyrë pritet të sigurojnë vazhdimësinë e administrimit dhe të përmbahen nga miratimi i vendimeve substanciale politike që ndikojnë materialisht aktivitetin ekonomik, strukturën e tregut apo të drejtat dhe detyrimet e aktorëve të sektorit privat.
Në këtë drejtim, Oda Amerikane tërheq vëmendjen te një aktgjykim i Gjykatës Supreme të Kosovës, i cili ka riafirmuar autoritetin e kufizuar të institucioneve në detyrë për të miratuar akte normative me ndikim të gjerë ekonomik, si dhe ka urdhëruar detyrimin e organeve ekzekutive për të vepruar në mënyrë të përmbajtur dhe brenda kufizimeve të qarta ligjore. Ky vendim gjyqësor forcon më tej qëndrimin se vendimet me impakt të gjerë ekonomik, janë të rezervuara për qeveritë me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik e parlamentar.
Përtej dimensioneve ligjore dhe institucionale, Oda Amerikane rithekson se çmimet e karburanteve ndikohen nga një gamë e gjerë faktorësh të jashtëm dhe strukturorë, përfshirë tregjet ndërkombëtare të naftës, zhvillimet gjeopolitike, zinxhirët rajonalë të furnizimit, kostot e transportit dhe sigurimit, luhatjet valutore dhe shpenzimet operative lokale. Kufizimet administrative të marzhave nuk i pasqyrojnë këto realitete dhe rrezikojnë të çrregullojnë tregun, të dekurajojnë konkurrencën dhe të rrezikojnë sigurinë e furnizimit në një ekonomi shumë të varur nga importi, siç është Kosova.
Rrjedhimisht, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bën thirrje Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë menjëherë dhe të shfuqizojë vendimin për kontrollin administrativ të çmimeve, të respektojë garancitë kushtetuese të ekonomisë së tregut të lirë dhe konkurrencës së lirë, të respektojë kufizimet ligjore që vlejnë për qeveritë në detyrë, si dhe t’i adresojë shqetësimet e tregut përmes transparencës, zbatimit të konkurrencës dhe dialogut me sektorin privat, në vend të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në çmime.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar dy ditë më parë vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun vendor.
Në një postim në Facebook, Hajdari shkruan: “Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien”.
Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale është përcaktuar si vijon:
-Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër
-Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër
Hajdari thekson më tej: “Përmes këtij vendimi të sotëm, që hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, çdo herë, me punë e veprime të guximshme për të mbrojtur konsumatorët dhe për të promovuar konkurrencën e drejtë në tregun e Republikës së Kosovës”.
Vendimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga ndryshimet e shpejta të çmimeve të derivateve, duke synuar që tregu vendor të jetë më transparent dhe i balancuar për konsumatorët dhe bizneset.
Burimi:Monitor
Më të lexuarat






